Trump kërcënon vendet që kundërshtojnë vendimin e tij për Kodsin
Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se do të ndërpresë ndihmat financiare për vendet që planifikojnë të votojnë kundër Shteteve të Bashkuara në një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, për të kundërshtuar vendimin e Uashingtonit rreth njohjes së Kodsit të shenjtë si kryeqytet të regjimit sionist.
“Të gjitha këto kombe që marrin paratë tona dhe më pas votojnë kundër nesh në Këshillin e Sigurimit, potencialisht më vonë mund të votojnë kundër nesh edhe në asamble”, ka thënë Trump në Shtëpinë e Bardhë. “Ata marrin miliona dollarë, ndoshta edhe miliarda dhe më pas votojnë kundër nesh”. “Le të votojnë kundër nesh. Do të kursejmë shumë para. Nuk na intereson”, ka shtuar ai. Asambleja e Përgjithshme pritet të mbajë një mbledhje emergjente gjatë ditës së sotme, pas kërkesës së shteteve arabe dhe atyre myslimane lidhur me vendimin e Trumpit për Kodsin e shenjt. I dërguari i Autoritetit Palestinez në OKB, Rijad Mansur, ka thënë se 193 vende do të votojnë për rezolutën, duke i kërkuar presidentit Trump ta tërheqë vendimin e tij.