Aktualizohen hetimet e këshilltarit Mueller në senatin amerikan
Senatori amerikan, Mark Warner, e ka paralajmëruar presidentin amerikan, Donald Trump të mos e shkarkojë këshilltarin special Robert Mueller dhe të mos përdorë faljen për personat që po heton këshilltari.
Duke folur para Senatit, demokrati Warner ka thënë para Komitetit për Inteligjencë se rritja e kritikave për hetimet e Muellerit nga Shtëpia e Bardhë dhe republikanët, po dërgon në përgatitjen e terrenit për shkarkimin apo ndërhyrjen në hetimet e tij. Ai ka paralajmëruar se çdo tentim për ta larguar këshilltarin Mueller, “ka mundësi që të provokojë një krizë kushtetuese”. Trump në vazhdimësi ka thënë se nuk e ka në plan ta bëjë një gjë të tillë, ndonëse ka deklaruar se ka fuqi në rast se ka nevojë. Bazuar në ligjin amerikan për këshilltarët specialë, presidentit Trump nuk i lejohet që drejtpërdrejt ta shkarkojë Muellerin, mirëpo kritikët kanë thënë se ai mund të kërkojë një gjë të tillë nga zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë dhe nëse ata nuk e miratojnë kërkesën, Trump mund t’i shkarkojë zyrtarët në fjalë. Gjatë të ashtuquajturës “Masakara e së shtunës mbrëma” më 1973, presidenti Richard Nixon kishte kërkuar nga prokurori dhe zëvendësprokurori i përgjithshëm që ta shkarkojë hetuesin e skandalit Watergate. Ata kishin refuzuar të marrin një vendim të tillë duke dhënë dorëheqje. “Gjatë javëve të kaluara, janë ngritur disa zëra të papërgjegjshëm që kanë kërkuar nga presidenti Trump të ndërpresë hetimet e këshilltarit special, Robert Mueller”, ka thënë Warner duke shtuar se thirrjet duket të kenë qenë “të koordinuara”.