Tillerson planifikon mbetjen në postin aktual gjatë vitit 2018
Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, tha se planifikon të mbetet në postin e tij aktual gjatë 2018-tës, megjithë spekulimet se ai do të mund të largohej së shpejti, për shkak të raporteve të tensionuara me presidentin, Donald Trump.
Në intervistën e djeshme me rrjetin televiziv CNN, zoti Tillerson tha se mendon se administrata Trump kishte një vit “shumë të suksesshëm” gjatë 2017-tës dhe se tash është duke i zbatuar politikat për të cilat theksoi se do të çojnë në vit “shumë të suksesshëm 2018”. I pyetur për planet e tij, Tillerson tha se “synoj të jem këtu për gjithë vitin”. Raportet e Tillersonit me Trumpin duket se janë përkeqësuar gjatë vitit 2017. Rrjeti televiziv NBC ka raportuar në muajin tetor se Tillerson i ishte referuar presidentit si “injorant”, pas një takimi në Pentagon në muajin korrik. Në nëntor, ka pasur raporte se Shtëpia e Bardhë e shqyrtonte shkarkimin e tij. Tillerson i tha rrjetit CNN se presidenti nuk i ka dhënë atij indikacion se posti i tij ishte në rrezik. Kjo intervistë e zyrtarit të lartë të administratës Trump ka koinciduar me daljen nga shtypi të një libri tejet kritik për vitin e parë të presidentit Trump. Në këtë libër, presidenti amerikan portretizohet si lider me sjellje sikur fëmij dhe i ka shtruar pyetjet e reja për aftësinë e tij për të udhëhequer zyre publike.