Amerika dhe sfida e mbrojtjes kombëtare
Në ditët e fundit të Dhjetorit, u publikua Dokumenti i parë strategjik i Sigurisë Kombëtare të SHBA nën administrimin e Presidentit Donald Trump.
Në këtë dokument janë përvijuar katër qëllime kryesore. Mbrojtja e brendshme, promovimi i rimëkëmbjes ekonomike, mbrojtja e paqes nëpërmjet forcës dhe përhapja e ndikimit amerikan janë katër qëllime që Shtetet e Bashkuara janë zotuar për të përmbushur. Megjithatë, ekzistojnë pengesa të mëdha për arritjen e këtyre synimeve. Ne synojmë që duke eksploruar më shumë detaje, në katër emisione të ndara të shqyrtojmë pengesat dhe problemet me të cilat ballafaqohet zbatimi i dokumentit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA.
Shtylla e parë e dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë të SHBA-së, fillon me kapitullin: "Mbrojtja e popullit, tokës dhe mënyrës amerikane të jetesës ". Ky seksion paraqet një listë të kërcënimeve dhe rreziqeve që kërcënojnë shoqërinë amerikane. Shumica e këtyre kërcënimeve përfshijnë: Dobësimi i barrierave kufitare, përdorimi i armëve të shkatërrimit në masë, politikat e papërshtatshme të emigracionit, aktivitetet e të ashtuquajturve terroristë të xhihadit dhe sulmet kibernetike mbi infrastrukturën amerikane. "Ne duhet të mbrojmë popullin amerikan ... nëse nuk garantojmë siguri për kufijtë tanë, ne nuk mund të sigurojmë vendin tonë", tha Donald Trump në të njëjtën kohë me publikimin e dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë të SHBA. Presidenti i Shteteve të Bashkuara theksoi nevojën e arritjes së një qëllimi të tillë duke thënë: ”Bazuar në këtë, theksoj në ndërtimin e një muri në kufijtë tanë jugorë, fundin e migrimit zinxhir, dhe planet e tmerrshme për viza dhe lotari amerikane”. Gjithashtu, në vazhdën e qasjes aventureske të qeverisë Trump ndaj myslimanëve, presidenti amerikan në dokumentin e rëndësishëm të sigurisë kombëtare të Amerikës përpiqet të përdorë termin "Islam" së bashku me fjalë të tilla si terroristët dhe ekstremistët për të krijuar termin "terroristët xhihadistë" në kombinim me këto fjalë. Lufta kundër "terroristëve xhihadistë" dhe autorëve të krimit në internet janë midis synimeve të tjera të përshkruara në dokumentin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur sigurinë brenda kufijve të SHBA. Megjithatë, duket se, ndryshe nga sa kanë premtuar Trump dhe këshilltarët e tij, nuk do të jetë e lehtë për të arritur këto qëllime. Për shembull, kufijtë e gjerë tokësorë dhe detarë të Shteteve të Bashkuara janë bërë shkak, që pavarësisht miliarda dollarëve të shpenzuara për përdorimin e qindra mijëra rojeve kufitare, kufijtë e këtij vendi të mbeten të ndjeshëm ndaj hyrjes së mallrave ilegale ose emigrantëve të paligjshëm. Natyrisht, Trump premtoi të ndërtojë një mur në kufirin meksikan. Por ndërtimi i një muri prej më shumë se 3,200 kilometrash në shkretëtirat, malet dhe lumin Rio Grande, që të jetë i sigurt përballë trafikantëve të drogës dhe trafikantëve të qenieve njerëzore, ka nevojë për të paktën 20 miliardë dollarë. Përcaktimi i një buxheti të tillë ka rritur dallimet politike dhe partiake midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit si dhe mes republikanëve dhe demokratëve. Përveç kësaj, ka dyshime serioze se emigrantët e paligjshëm nuk do të lejohen të hyjnë në SHBA, derisa bashkësia amerikane ka nevojë të madhe për një fuqi punëtore të lirë të huaj. Për momentin, shumë punë të vështira në SHBA po kryhen nga emigrantët ilegalë, kryesisht meksikanë dhe hispanikë, dhe punëdhënësit amerikanë i kanë mbushur xhepat me miliarda dollarë, duke i angazhuar këta njerëz dhe duke u paguar pagat minimale, pa pasur nevojë të zbatojnë ligjet e punës dhe të sigurimeve. Gjithashtu, pabarazia masive mes dy anëve të Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës bëhet shkak që qindra mijëra njerëz të zhgënjyer nga shumë probleme politike, ekonomike dhe sociale në shtetet në jug të SHBA, të jenë të gatshëm për të përballuar vështirësitë e emigracionit të paligjshëm me shpresën për një jetë më të mirë në SHBA. Natyrisht, shumica dërrmuese e këtyre njerëzve pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara nuk realizojnë dot ëndrrat e tyre dhe në një afat të gjatë, përballen me rreziqet e dënimit për shkak të hyrjes dhe qëndrimit të paligjshëm në një vend tjetër. Trump premtoi të ndalë procesin e hyrjes së emigrantëve të paligjshëm, të detyrojë 11 milionë emigrantë të paligjshëm të largohen nga Shtetet e Bashkuara, të parandalojë hyrjen e të afërmve të personave që sapo kanë shkuar në Shtetet e Bashkuara dhe, së fundi, të ndalojë programin e llotarisë amerikane. Megjithatë, arritja e qëllimeve të tilla, përveç vendimit të agjencive ekzekutive nën patronazhin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, gjithashtu kërkon vendimin e ligjvënësve amerikanë në Kongres. Ndërsa, përveç kundërshtimit të fortë nga anëtarët demokratë të Kongresit ndaj politikës së shtrënguar të emigracionit të Donald Trump, një numër republikanësh nuk e konsiderojnë të pranueshëm përjashtimin e emigrantëve të paligjshëm dhe rishikimin e ligjeve të emigracionit në Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, gjatë gati një viti që nga fillimi i presidencës së Donald Trump, ai ende nuk ka arritur të bëjë ndryshime të rëndësishme në politikat e emigracionit të vendit të tij, me përjashtim të imponimit të ndalimit të udhëtimit të shtetasve të disa prej vendeve kryesisht muslimane në Shtetet e Bashkuara, me dekretin presidencial. Jeff Immelt, Drejtori Menaxhues i kompanisë General Electric, kritikon politikat e emigracionit dhe programin e Trump për ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën dhe thekson: “Nga aspekti filozofik ne besojmë në biznes. Ne besojmë në rrjedhën e lirë të mallrave ndërmjet vendeve, dhe për këtë arsye besoj se zbatimi i politikave të tilla si ndërtimi i një muri ndarës nuk është i përshtatshëm”.
Në çështjen e ndjeshme të luftimit të të ashtuquajturve "terroristë xhihadistë", qeveria e Trump nuk pati rezultate të mira në 11 muajt e fundit. Gjatë kësaj kohe, një akt terrorist u zhvillua në Nju Jork për herë të parë që nga sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001. Kjo ka treguar se linja e ashpër e Trump në lidhje me terroristët dhe ekstremistët nuk ka qenë efikase. Përveç kësaj, sipas raporteve zyrtare, më shumë se 80% e atyre që pas vitit 2001 tentuan të kryejnë akte terroriste ose u arrestuan për dyshime për tentativë të akteve terroriste, ishin lindur ose rritur në Shtetet e Bashkuara. Me fjalë të tjera, terroristi që kërcënon sigurinë e Shteteve të Bashkuara lindet dhe rritet brenda këtij vendi. Mospërfillja mbi shkaqet dhe motivet e rritjes së mendimeve ekstremiste midis qytetarëve amerikanë, emigrantëve të brezit të dytë ose personave me banim në SHBA, ofron arsye për përsëritjen e sulmeve terroriste, si incidenti i fundit në New York. Por në dokumentin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA nuk i kushtohet asnjë rëndësi shkaqeve dhe arsyeve që i shtyjnë njerëzit të kryejnë akte që kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA.