Gjermania paralajmëron SHBA-në për rrezikun e një lufte tregtare
Gjermania paralajmëroi Shtetet e Bashkuara për një luftë tregtare në prag të rritjes së tarifave amerikane për mallrat evropiane.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tha se vendimet e Donald Trump për të vendosur tarifa të larta për mallrat evropiane janë të gabuara dhe çojnë në një konflikt tregtar. Nga pikëpamja e Berlinit, fillimi i luftës tregtare godet punëtorët, bizneset dhe konsumatorët në të dy anët e Atlantikut. Presidenti i SHBA, pas vendosjes së tarifave për çelikun dhe aluminin, kërcënoi se mund të vendosë dogana edhe për importin e automjeteve evropiane. Ai u ankua për një "mungesë të madhe ekuilibri tregtar". Në përgjigje të kritikave intensive të brendshme dhe të jashtme, Trump njoftoi vendimet e tij duke thënë: "Ne po humbasim pothuajse në të gjitha kontratat tregtare. Miqtë dhe armiqtë tanë na kanë abuzuar për shumë vite me ne. Industria jonë e çelikut dhe e aluminit është e vdekur. Tani është koha për ndryshim.” Tarifat ndëshkuese të SHBA ndaj automjeteve evropiane kanë frikësuar para së gjithash investuesit e kompanive të mëdha gjermane të automjeteve si gjigandët Daimler Benz dhe BMW. BE premtoi se do të marrë masa reciproke për importet e mallrave amerikane. Megjithatë, Trump jo vetëm që nuk u tërhoq nga pozicioni i tij, por kërcënoi Evropën se në rast të reciprocitetit, do të vendosë tarifa të larta doganore mbi importet e makinave nga Evropa. Në këtë mënyrë, marrëdhëniet tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kanë hyrë në një fazë shumë të ndjeshme dhe të paprecedent dhe rreziku i një konflikti të plotë tregtar midis dy anëve të Atlantikut është rritur ndjeshëm. Në sytë e gjermanëve, duke përfshirë edhe ministrin e Jashtëm Sigmar Gabriel, ndryshimi në qëndrimet e SHBA për çështje të ndryshme, duke përfshirë ato komerciale dhe ekonomike, nuk është vetëm për hir të një presidenti, por një ndryshim themelor që nuk do të ndryshojë pas zgjedhjeve të ardhshme. Me fjalë të tjera, gjermanët besojnë se duhet të përballen në forma të ndryshme me amerikanët që kanë braktisur kryesisht rolin e tyre përkrahës dhe kanë marrë qëndrime dhe veprime në kuadrin e qasjes së veçantë të Trump për çështje të ndryshme, duke përfshirë edhe politikat tregtare dhe ekonomike. Aktualisht, nervozizmi në anën evropiane të Atlantikut është i madh. Bëhet fjalë për humbje në miliona të sipërmarrjeve të prekura. Mijëra vende pune në Europë janë të rrezikuara. Për evropianët është e padrejtë, kjo që po bën presidenti amerikan, që angazhohet për tregtinë e lirë. Kjo është shkelje e rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë. Reagimet vazhdojnë. Jo vetëm nga Gjermania dhe BE u dëgjuan reagime të forta, por edhe nga Kanadaja, Kina si edhe Brazili. Për momentin kjo nuk e prek Donald Trump. Ai ka në mendje vetëm tregun vendas, sepse në thelb ai është një anti-globalist. Dhjetë fabrika çeliku të mbyllura në SHBA dhe mijëra vetë që kanë humbur punën, kjo është ajo që i intereson Trumpit. Në një kohë që prodhimi botëror i çelikut është rritur në rreth 130%. Sipas Luis Cobodo, një ekspert ekonomik, një politikë e tillë nuk mund të kompensojë bilancin e jashtëm ekonomik dhe tregtar të vendeve dhe është shumë e rrezikshme për rritjen e ekonomisë globale, ndërkohë që kjo qasje përfundimisht çon në një luftë tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të mëdha të botës.