Projekti europian për një Shengen ushtarak
(last modified Thu, 29 Mar 2018 17:40:54 GMT )
Mars 29, 2018 19:40 Europe/Tirane
  • Projekti europian për një Shengen ushtarak

Bashkimi Europian dëshiron të modernizojë lëvizjet ushtarake përqark bllokut dhe ta bëjë infrastrukturën më të përshtatshme për përdorim ushtarak.

Plani i paraqitur është quajtur “Shengeni ushtarak”, si referencë për zonën e udhëtimit pa pasaporta në Europë. "Me lehtësimin e zhvendosjes ushtarake në Bashkimin Europian, ne mund të punojmë më efektivisht në parandalimin e krizave, vendosjen e trupave dhe vendosjen e pajisjeve si dhe reagimin më të shpejtë përballë sfidave", tha Federica Mogherini, shefja e politikës së jashtme të BE për projektin në fjalë. Në një kohë kur agresioni rus po krijon gjithnjë e më shumë shqetësime, Bashkimi Europian ka prezantuar planin e heqjes së pengesave për lëvizjen e pajisjeve dhe trupave ushtarake përqark Europës. Me sa duket, lëvizjet ushtarake të Rusisë në kufijtë e saj perëndimorë kanë alarmuar evropianët dhe amerikanët. Në veçanti, stërvitja ushtarake ruse "Zapad", e cila vitin e kaluar u mbajt në kufijtë perëndimorë të Rusisë dhe vendet fqinje të Fronit Lindor, ngre shqetësime se veprimet ruse mund të shkaktojnë një luftë aksidentale dhe të paplanifikuar në Evropën Lindore. Ben Hodges, gjeneral amerikan dhe ish komandanti i forcave amerikane në Evropë, kohët e fundit deklaroi: "Ne kemi nevojë për një zonë ushtarake Shengen. Rusët kanë liri të plotë për të udhëtuar brenda territoreve të tyre. Edhe nëse ne nuk mund të veprojmë më shpejt se rusët, të paktën duhet të jemi në gjendje të lëvizim sa më shpejt që të jetë e mundur për të grumbulluar forcat tona kundër një armiku potencial". Propozimi i paraqitur nga Komisioni Europian kërkon mes të tjerash, identifikimin e rrugëve të përshtatshme për transportin ushtarak dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese. Komisionerja europiane për Transportin Violeta Bulc deklaroi se objektivi i këtij plani është të sigurohet se nevojat ushtarake do të merren parasysh gjatë zhvillimit të projekteve të infrastrukturës. “Kjo nënkupton përdorim më efikas të parave publike dhe një rrjet transporti të pajisur më mirë, që siguron lëvizshmëri të shpejtë dhe të lehtë përqark kontinentit. Është çështje e sigurisë së përbashkët,” deklaroi komisionerja. Plani i Komisionit Europian do të duhet të aprovohet nga qeveritë europiane dhe të rishikohet nga Parlamenti Europian. Pjesa e parë e planit të veprimit pritet të zbatohet në muajt në vijim dhe raporti i parë i progresit do të publikohet në verën e vitit 2019. Prej kohësh, blloku europian është përpjekur të integrojë më mirë aftësitë dhe kapacitetet e mbrojtjes me qëllim krijimin e një Bashkimi Europian të Mbrojtjes në vitin 2025 dhe përmbushjen e prioriteteve të NATO-s për lëvizje të shpejta ushtarake. Një raport konfidencial i kësaj aleance një vit më parë ngrinte dyshime mbi aftësinë e bllokut europian për t’u mbrojtur ndaj një sulmi të mundshëm nga Rusia.

 

Tags