Trump kërcënon me luftë Sirinë, Rusia do përgjigjet
https://parstoday.ir/sq/news/world-i72798-trump_kërcënon_me_luftë_sirinë_rusia_do_përgjigjet
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka kërcënuar me sulme ushtarake mbi Sirinë, për shkak të pretendimeve mbi gjoja sulmet kimike që janë kryer ndaj civilëve.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 10, 2018 15:10 Europe/Tirane
  • Trump kërcënon me luftë Sirinë, Rusia do përgjigjet

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka kërcënuar me sulme ushtarake mbi Sirinë, për shkak të pretendimeve mbi gjoja sulmet kimike që janë kryer ndaj civilëve.

Ai këto komente i ka bërë gjatë takimit me zyrtarët ushtarakë në Shtëpinë e Bardhë, ku deklaroi se së shpejti do të marrë vendim për atë se si do të reagojnë SHBA-të. “Kemi shumë opsione ushtarake, do t’ju njoftojmë së shpejti”, ka deklaruar Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Gjithashtu, mësohet se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump nuk do të marrë pjesë në samitin e Amerikës Latine që do të mbahet këtë javë. Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump do të fokusohet në krizën në Siri. Trump kishte urdhëruar sulm me raketa mbi një bazë ajrore siriane vitin e kaluar, pas një sulmi me gaz sarin në qytetin sirian Khan Sheikhun, ku ishin vrarë të paktën 80 persona. Sot, luftanija e Marinës amerikane, "Donald Cook", u largua nga porti qipriot i Larnakës ku ishte ankoruar, për t'u afruar ujërave territoriale siriane, shkruan gazetare turke "Hyrriet". Nga ana tjetër, disa avionë rusë fluturuan 4 herë në lartësi të ulët duke bërë manovra mbi luftanijen amerikane, ndërsa po i afroheshin ujërave territoriale. Anija luftarake e SHBA-ve ka mbërritur rreth 100 km nga porti sirian i Tartus, ku ndodhet një bazë e marinës ruse. Gjithashtu mësohet se Rusia i ka vënë në gatishmëri të lartë sistemet anti-ajrore të dislokuara në bazat e saj në Latakia të Sirisë. Nuk ka konfirmim zyrtare nga ushtria amerikane për manovrat, të cilat vijnë në një periudhë tensioni të lartë. Ndërkohë, një ligjvënës i lartë rus ka paralajmëruar SHBA-të kundër çdo "aksioni të paligjshëm" në Siri pas sulmit të dyshuar kimik të kohëve të fundit në qytetin Duma të mbajtur nga militantët. "Politika e standardeve të dyfishta ka arritur kulmin dhe këtu partia e Bashkuar e Rusisë me ndërgjegje deklaron se do të merren të gjitha masat politike, diplomatike dhe ushtarake nëse do të ndërmerret ndonjë veprim i paligjshëm", deklaroi kryetari i Komitetit të Mbrojtjes i Dumës dhe ish komandanti i përgjithshëm i forcave ajrore ruse, Vladimir Shamanov, duke thënë në një mbledhje plenare të parlamentit rus. Ai gjithashtu i përshkroi raportet mbi sulmin e dyshuar kimik në Duma të Sirisë si "provokim dhe fabrikim absolut". Shtetet e Bashkuara dhe Rusia replikuan ashpër në mbledhjen e Këshillit të sigurimit të OKB, lidhur me atë që pretendohet te jetë një sulm me armë kimike në Siri. Ambasadori rus Vassily Nebenzia tha se ngjarja në Duma ishte e inskenuar dhe se ndërhyrja e mundshme e ushtrisë amerikane do të kishte pasoja të rënda. Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha me herët se nuk ishte gjetur asnjë provë për sulm me armë kimike në Duma. Megjithatë, për SHBA dhe Perëndimin rëndësi ka vetëm preteksti për fillimin e luftës, dhe i tillë ka qenë rasti edhe në agresionet ndaj Afganistanit, Libisë dhe Irakut.