Rusia: Huliganizëm në arenën ndërkombëtare/ SHBA: Do sulmojmë prapë
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u mblodh urgjentisht pasi SHBA, Britania e Madhe dhe Franca kryen sulme ajrore në Siri në një veprim të përshkruar si "agresion brutal" nga Damasku.
Moska deklaroi se sulmi ishte kryer në prag të ardhjes së ekspertëve të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në kryeqytetin sirian për të hetuar sulmin e dyshuar në Duma. Duke folur për sulmet me raketa, ambasadori rus në OKB Vasili Nebenzia tha se Moska dënon sulmin duke shtuar se Uashingtoni, Londra dhe Parisi duke kryer sulme kundër Sirisë shpërfillën thirrjet për mirëkuptim të përbashkët dhe për respektimin e ligjeve ndërkombëtare. Ai shtoi se veprimet e SHBA çojnë në përkeqësimin e situatës humanitare në Siri. Duke i përshkruar sulmet si një akt "huliganizmi në arenën ndërkombëtare", Nebenzia theksoi se Uashingtoni ka dëmtuar përpjekjen e tij për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës së Sirisë. Në të njëjtën kohë, Nebenzia tha se Rusia ka bërë gjithçka të mundshme për të bindur SHBA-të të përmbahen nga planet e tyre ushtarake në Siri. Rusia gjithashtu ka prezantuar një projekt-rezolutë që dënon sulmet raketore kundër objektivave sirianë dhe bën thirrje që SHBA dhe aleatët e saj menjëherë të ndalojnë agresionin. Dokumenti e cilëson sulmin si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe kartës së OKB-së. Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, në një koment për sulmet para takimit tha se kishte kaluar koha e bisedimeve me Damaskun. Haley tha se sulmet janë planifikuar me kujdes për të minimizuar viktimat civile, duke e përshkruar sulmin si "përgjigje të justifikuar, legjitime dhe proporcionale" ndaj sulmit të supozuar kimik në Duma. "Ne jemi të bindur se kemi gjymtuar programin e armëve kimike të Sirisë. Ne jemi të përgatitur për të vazhduar këtë presion nëse regjimi sirian është aq i marrë sa të provojë vullnetin tonë", tha ajo. Duke cituar Presidentin Trump, Haley tha se nëse Siria përdor përsëri armë kimike, SHBA është gati për të goditur përsëri Sirinë. Duke folur për sulmin ndaj Sirisë, ambasadorja britanike në OKB, Karen Pierce ka thënë: "Nuk mund të jetë e paligjshme të përdoret forca për të parandaluar vrasjen e njerëzve të pafajshëm". Ambasadori francez në OKB, Francois Delattre, tha se Parisi nuk ka dyshim se qeveria siriane ishte përgjegjëse për sulmet kimike. Ai i kërkoi Moskës të detyrojë Damaskun për t'u dhënë fund vuajtjeve të sirianëve. I dërguari i Kinës në OKB Ma Zhaoxu tha se Pekini shpreh "shqetësim të thellë" me përshkallëzimin e situatës në Siri, duke shtuar se Kina u kërkon të gjitha palëve të përmbahen nga çdo lëvizje që mund të çojë në përkeqësim të mëtejshëm të situatës.