Komisioni Evropian, publikon raportin mbi Turqinë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i73234-komisioni_evropian_publikon_raportin_mbi_turqinë
Komisioni Evropian ka publikuar raportin e progresit të Turqisë në rrugën e anëtarësimit të tij në BE.
(last modified 2026-04-21T17:45:03+00:00 )
Prill 17, 2018 03:43 Europe/Tirane
  • Komisioni Evropian, publikon raportin mbi Turqinë

Komisioni Evropian ka publikuar raportin e progresit të Turqisë në rrugën e anëtarësimit të tij në BE.

Turqia konsiderohet një partner strategjik nga Bashkimi Evropian, por kur vjen puna tek të drejtat e njeriut, liria e shprehjes dhe sundimi i shtetit ligjor, Brukseli dhe Ankaraja duket se janë vite dritë larg njëra-tjetrës. Mediat në Gjermani kanë publikuar disa pjesë nga progres-raporti për Turqinë, ku termi më i saktë, të paktën sipas këndvështrimit të Komisionit, do të ishte regres-raporti. “Turqia ka ndërmarrë hapa pas në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe ka pengesa serioze në sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe të drejtave të tjera themelore. Në rrethanat e tanishme, hapja e kapitujve të rinj të negociatave nuk duhet marrë në konsideratë,” shkruan Welt am Sonntag, duke cituar këtu pjesë nga raporti i Komisionit. Në raport thuhet se Turqia konsiderohet si “partner kyç për BE-në” dhe konfirmohet si vend kandidat. Por DË thotë se Komisioni kritikon mbi të gjitha masat e marra nga autoritetet vendase pas grushtit të dështuar të shtetit. Komisioni i bën thirrje qeverisë në Ankara të heqë gjendjen e jashtëzakonshme që është në fuqi pa ndërprerje prej gati dy vjetësh. Megjithatë, Turqia është Vlerësuar pozitivisht për politikën e migrimit dhe ekonominë. “Po bën përpjekje të jashtëzakonshme për të mbajtur më shumë se 3.5 milionë refugjatë sirianë të regjistruar”, thotë Komisioni i BE-së.