Trump dhe Merkel, të ndarë për Iranin
Takim harmonik, por pa rezultate ishte takimi i Donald Trump me Angela Merkelin.
Pas pritjes se përzemërt dhe takimit tre orësh mes presidentit amerikan e kancelares gjermane, nuk mund të flitet për progres konkret mbi çështjet e debatueshme ndërmjet dy vendeve. Gazeta gjermane “Badische Zeitung” shkruan se tek politikanët ekscentrikë, gjestet e përzemërta janë shpesh boshe, ashtu si takimi Trump-Merkel. 9 muaj më parë mediat botërore e pasqyruan gjerësisht momentin e shpërfilljes së Trumpit ndaj shefes së ekzekutivit gjerman, të cilës ia refuzoi asokohe shtrëngimin tradicional të duarve. Por këtë radhë kreu i Shtëpisë së Bardhë foli për një marrëdhënie të jashtëzakonshme me Gjermaninë, e uroi Merkelin për fitoren në zgjedhje e ia dha dy herë dorën në zyrën ovale. Gruaja e fortë e Europës pohoi se bisedimet nuk ishin aspak të lehta dhe temat që përmbanin lëndë për prishjen e harmonisë transatlantike nuk qenë të pakta, duke nisur nga doganat ndëshkuese që Trump kërkon t’i vendosë çelikut dhe aluminit të importuar nga BE, vënia në pikëpyetje e marrëveshjes atomike me Iranin, mbrojtja e tregtisë së lirë, kërkesat amerikane që europianët të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në NATO, etj. Pas takimit, Merkel nuk u shpreh në lidhje me tarifat e reja doganore që shqetësojnë europianët, por tha vetëm se presidenti do të vendosë për këtë.