Francezët refuzojnë reformat e Macron, i vënë flakën Parisit
Punonjësit e sektorit publik në Francë u bashkuan me punëtorët hekurudhor në një protestë të madhe në Paris kundër reformave të planifikuara nga Presidenti Emmanuel Macron.
Ata i konsiderojnë reformat një "sulm" ndaj shërbimeve civile dhe sigurisë së tyre ekonomike. Sot ishte dita e tretë e demonstratave të mëdha të punonjësve të sektorit publik kundër Presidentit që francezët zgjodhën vitin e shkuar. Macron ka premtuar të reduktojë shpenzimet publike, të reduktojë vendet e punës dhe të reformojë pjesë të mëdha të shtetit të madh francez. Të gjitha sindikatat që përfaqësojnë shërbyesit civilë kanë mbështetur grevën e së martës, një shfaqje e unitetit për herë të parë pas rreth 10 vitesh. Largimi i tyre preku shkollat dhe qendrat e përkujdesjes, fluturimet dhe infrastrukturën e energjisë, ndërkohë që transporti publik u ndërpre gjithashtu pasi disa punonjës morën pjesë përpara raundit të ardhshëm të grevave dy-ditore në operatorin kombëtar hekurudhor SNCF. "Është një mesazh në mbrojtje të shërbimeve publike, që do të thotë një koncept tjetër i shoqërisë franceze sesa ai i mbajtur nga presidenti", tha udhëheqësi i sindikatës CGT Philippe Martinez, në një marshim me mijëra njerëz në Paris. Të paktën 16 mijë 400 persona demonstruan në kryeqytetin francez. Disa mijëra protestues u mblodhën gjithashtu në qytete të tjera, duke përfshirë rreth 4,500 në Lyon sipas policisë. Deri në 140 demonstrata priten në të gjithë vendin. Sindikatat akuzojnë Macron, një ish-bankier investimesh, se dëshiron të shkatërrojë shërbimet publike - burim jetësor i punësimit dhe një shtyllë e jetës komunale në shumë pjesë të vendit.