Dilema turke, F-35 apo S-400?
Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA ka miratuar një projekt-ligj që thotë se sekretari i mbrojtjes nuk është i lejuar të konfirmojë dërgimin e armatimeve amerikane, duke përfshirë edhe avionët F-35, në Turqi, nëse nuk paraqitet një raport mbi blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore ruse S-400 nga Ankaraja.
Faruk Logoglu, ish-zëvendës ministër i jashtëm dhe ish-ambasadori turk në SHBA, kujton se Turqia është një nga sponsorët e programit të avionëve F-35 të udhëhequr nga SHBA, një fakt që frustron kongresmenët e SHBA. Ai vuri në dukje se SHBA është padyshim e vetëdijshme për marrëveshjen e nënshkruar në Moskë që furnizon Ankaranë me sistemin raketor S-400 dhe se Turqia dhe Rusia nuk do ta thyejnë marrëveshjen. "Natyrisht që Shtetet e Bashkuara mund të përpiqen të bëjnë një gjë të tillë dhe duke gjykuar nga situata me marrëveshjen e Iranit, ekziston mundësia që SHBA të tërhiqet nga çdo marrëveshje. Ne duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë. Por mendoj se çdo anëtar i NATO-s që mori pjesë në programin e zhvillimit F-35 do të kundërshtojë një nismë të tillë amerikane ", tha ky zyrtar turk për mediat turke. Abdullah Agar, ish anëtar i departamentit të operacioneve speciale të ushtrisë turke, thekson: "Ankaraja përballet me këtë situatë krejtësisht kontradiktore dhe po parashtron pyetje legjitime për atë se pse për një kohë të gjatë u privua nga sistemet e mbrojtjes ajrore nga aleatët e saj në NATO? Pse aleatët e saj po bashkëpunojnë me YPG kurde, e cila kërcënon sigurinë dhe integritetin e Turqisë, si dhe mbrojnë gylenistët, të cilët organizuan përpjekjen e grushtit të shtetit në Turqi?". Erdogan Karakush, një oficer gjeneral i pensionuar i Forcës Ajrore Turke, theksoi se përpjekja e Ankarasë për të krijuar sistemin kombëtar të mbrojtjes ajrore, i cili nuk varet nga ata që Turqia i sheh si aleatë të pasigurtë, është mjaft e natyrshme. Ai beson se kjo do të lejojë Turqinë të sigurojë veten nga lëvizjet eventuale të paparashikueshme nga administrata aktuale e SHBA. "Dihet mirë se një takim ishte planifikuar midis Trump dhe Kim Jong-un. Megjithatë, Trump kaloi në retorikë agresive dhe kërcënoi liderin verikorean Kim Jong-un se do të pësojë fatin e Gadafit. Për fat të keq, udhëheqësi aktual i SHBA preferon të përdorë forcën brutale në politikën e tij të jashtme. Tani mund të presësh çdo fjalë dhe çdo veprim nga SHBA-të ", përfundoi Karakush. Rusia dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje dhjetorin e kaluar për të furnizuar Ankaranë me sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 dhe kjo marrëveshje ka shqetësuar dukshëm Uashingtonin, i cili ka kërcënuar se nuk do të zbatojë marrëveshjen për t'i dhënë Turqisë avionët modernë F-35. "Turqia, një aleate e NATO-s, ka vendosur të blejë sistemin më të avancuar të mbrojtjes ajrore në botë në klasin e tij, S-400. E pra, çfarë, është ky një krim?", deklaroi të shtunën presidenti rus Putin duke shtuar: "Amerika po ushtron presione ndaj Turqisë mbi këtë çështje. Kjo sigurisht që është e padrejtë".