Kriza e emigrantëve, udhëheqësit e BE-së marrëveshje pas bisedimeve maratonë
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje mbi emigracionin pas gati 10 orësh bisedimesh në një samit në Bruksel.
Italia, porta hyrëse e mijëra emigrantëve, kryesisht nga Afrika, kishte kërcënuar të vërë veton ndaj përfundimeve të të gjithë axhendës së grupit nëse nuk merrte ndihmë për këtë çështje. Bisedimet vazhduan deri në orët e hershme të së premtes, 29 qershor 2018, para se të arrihej një kompromis. Udhëheqësit thanë se qendrat e reja të emigrantëve mund të krijoheshin në vendet e BE-së në baza "vullnetare". Këto qendra do t'i përpunonin emigrantët për të përcaktuar se cilët janë refugjatë të vërtetë dhe cilët janë "emigrantë të parregullt, të cilët do të kthehen", thuhet në tekstin e marrëveshjes së tyre. Megjithatë, ishte e paqartë se cilat vende do të dalin vullnetare për të ngritur qendrat. Komunikata e përbashkët gjithashtu flet për kufizimin e lëvizjes së azilkërkuesve midis shteteve të BE. "Pas këtij samiti evropian, Europa është më përgjegjëse dhe ofron më shumë solidaritet", tha Kryeministri italian Giuseppe Conte. "Sot Italia nuk është më vetëm." Kancelarja gjermane, Angela Merkel, erdhi samit me kërkesën për një marrëveshje të gjerë në BE për trajtimin e azilkërkuesve, në mënyrë që të shmangë një krizë politike në vend që mund të sillte edhe rrëzimin e qeverisë së saj. Është e paqartë nëse masat e dakordësuara do të jenë të mjaftueshme dhe duke folur me gazetarët rreth orës 05:00 me kohën lokale, ajo pranoi se BE kishte akoma "shumë punë për të kapërcyer pikëpamjet e ndryshme". Blloku është thellësisht i ndarë për çështjen e emigracionit, me disa shtete të Evropës Qendrore që refuzojnë një skemë të BE për të zhvendosur 160,000 refugjatë nga kampet e mbipopulluara në Greqi dhe Itali. Pas bisedimeve maratonë, të cilat përfunduan jo shumë kohë para lindjes së diellit, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se "bashkëpunimi europian e ka mundësuar këtë". 28 krerët e BE gjithashtu ranë dakord të forcojnë kontrollet e kufirit të jashtëm dhe të nxisin financimin për Turqinë dhe vendet në Afrikën e Veriut. Të ashtuquajturat "platforma rajonale të zbarkimit", të cilat kanë për qëllim thyerjen e modelit të biznesit të bandave të trafikimit të njerëzve duke përpunuar refugjatët dhe emigrantët jashtë BE-së, gjithashtu do të "eksplorohen me shpejtësi". Sidoqoftë, zgjedhja e vendeve afrikano-veriore për të ngritur qendra pritëse për emigrantët mund të jetë shumë e vështirë dhe Maroku përsëri të enjten e kundërshtoi idenë.