Erdogan bën betimin, Turqia zyrtarisht me sistem presidencial
Recep Taip Erdoğan ka bërë betimin në Parlamentin e Turqisë, duke u bërë presidenti i parë në sistemin e ri të qeverisjes.
Me betimin e presidentit Erdoğan, përfundoi sistemi parlamentar në Turqi dhe zyrtarisht filloi sistemi presidencial. Në ceremoninë e betimit të Erdogan ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Erdogan, pas largimit nga parlamenti, tha para gazetarëve se "Çdo gjë ishte mirë para popullit. Shpresoj që edhe në të ardhmen do të jetë mirë". Erdogan fitoi një shumicë absolute në zgjedhjet presidenciale me 52.59 për qind të votave, sipas Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë (YSK). Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, ka premtuar se do heqë gjendjen e jashtëzakonshme të krijuar në Turqi. Sistemi i ri presidencial i Turqisë eliminon kryeministrin, e tashmë është presidenti që formon qeverinë, duke emëruar zëvendësit e tij dhe ministrat, nxjerr dekrete, përgatit buxhetin dhe vendos politikat e sigurisë. Sipas sistemit të ri, Erdogan, jo vetëm që do të drejtojë ekzekutivin, por edhe partinë e tij në Parlament, diçka që kritikën thonë se është ligjërim i sundimit të një njeriu. Për këtë arsye, opozita në Parlament as që u ngrit në këmbë gjatë betimit të Erdoganit, siç është zakon, ndërsa kreu i Partisë Popullore Republikane, Kemal Kiliçdaroglu, nuk ishte në sallë.