Senati dështon përballë politikave anti-emigracion
Demokratët dhe republikanët në Senatin amerikan kanë kundërshtuar planet e njëri-tjetrit për t’i dhënë fund politikës së emigracionit dhe ndarjes së fëmijëve nga prindërit.
Në takimin e fundit të senatit janë parashtruar dy plane për t’i dhënë fund ndarjes së fëmijëve nga prindërit, por asnjëri prej tyre nuk është miratuar. Presidenti Donald Trump nënshkroi më herët një urdhër ekzekutiv për t’i mbajtur të bashkuar fëmijët me prindërit në kufijtë jugperëndimorë të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, mbi 2 mijë fëmijë vazhdojnë të jetojnë në kampe pa prindërit e tyre. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, mjekët dhe punonjësit e shëndetit mendor janë të shqetësuar se disa prej këtyre fëmijëve mund të vuajnë dëme të përhershme. Kjo është ëndrra e çdo prindi të ndarë nga fëmijët në kufirin amerikan. Për këtë nënë nga Guatemala, ëndrra e saj u bë realitet të premten, kur u ribashkua me djalin e saj. Ata ishin ndarë për një muaj. Pamjet filmike të publikuara nga qeveria tregojnë fëmijët që mbahen nëpër kafazë, por edhe në tenda dhe strehëza, si p.sh. në shtetin Oregon. Fotot e fëmijëve që jetojnë këtu nuk lejohet të publikohen. Doktorët paralajmërojnë për mundësinë e dëmtimeve të përhershme të shkaktuara nga ndarja prej prindërve. Shumë fëmijë më kanë rrëfyer se ndjejnë ftohtë, nuk hanë mjaftueshëm, ndërkohë që nuk kanë mbështetjen e prindërve apo të rriturve dhe kjo i ka trazuar shumë.