Turqia do hakmerret ndaj SHBA-ve
Ministria e Punëve të Jashtme në Turqi ka reaguar ndaj vendimit të SHBA-ve për vendosjen e sanksioneve ndaj dy anëtarëve të qeverisë turke.
Në reagimin e Ministrisë së Jashtme turke thuhet se përgjigja e Ankarasë do të jetë e menjëhershme nëse pala amerikane nuk e tërheq vendimin "e gabuar". " Protestojmë fuqishëm ndaj vendimit të Departamentit Amerikan të Thesarit për sanksione ndaj shtetit tonë. Vendimi në fjalë i cili si objektiv merr dy ministrat tanë nuk është në përputhje as me seriozitetin shtetëror, e as nuk mund të shpjegohet me parimet e ligjit dhe të drejtësisë. Nuk ka dyshim se ky vendim i SHBA është një ndërhyrje në sistemin tonë ligjor dhe se do të shkaktojë një dëm të madh ndaj përpjekjeve konstruktive të cilat po vazhdojnë në drejtim të zgjidhjes së problemeve në mes të dy shteteve. Iu bëjmë thirrje administratës amerikane që të kthehet nga ky vendim. Përgjigja ndaj qëndrimit agresiv në fjalë, i cili nuk do t'i shërbeje asnjë qëllimi, do t'iu kthehet njëjtë (SHBA-ve) pa u vonuar” " thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme turke. Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi dje sanksione ndaj ministrave të drejtësisë dhe të brendshëm të Turqisë lidhur me çështjen e një pastori amerikan që po gjykohet nën akuza për terrorizëm. "Ne besojmë se ai është një viktimë e vëmendjes së padrejtë që po i kushtohet nga qeveria e Turqisë", u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders. Turqia arrestoi pastorin amerikan në tetor 2016, nën akuzën e spiunimit dhe përpjekjes për të përmbysur qeverinë. Pastori amerikan është venë në qendër të një polemike të hidhur diplomatike midis dy aleatëve të NATO-s. Brunson, i cili drejtonte një kishë protestante në qytetin e Izmirit, u vu nën arrest shtëpiak javën e kaluar pas gati dy vjetësh burgim.