Spanja shpëton mbi 500 emigrantë në Detin Mesdhe
Garda Bregdetare e Spanjës ka shpëtuar më shumë se 500 emigrantë në Detitn Mesdhe.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia Sputnik sipas të cilës emigrantët përdorin Detin Mesdhe për të arritur në Evropë. Gjermania, Austria dhe Italia do të zhvillojnë bisedime javën e ardhshme për të diskutuar se si ta mbyllin rrugën e Mesdheut që ndjekin dhjetëra mijëra emigrantë nga Afrika për në Europë. Italia e quajti situatën urgjente dhe të rrezikshme. Nisma erdhi pasi kancelarja gjermane Angela Merkel ra dakord për ngritjen e qendrave të tranzitit për emigrantët përgjatë kufirit të Gjermanisë. Përmes këtyre qendrave, emigrantët të cilëve u refuzohet azili mund të kthehen mbrapsht. Vendimi i Kancelares uli tensionet që kërcënonin rënien e koalicionit të saj qeverisës. Por qendrat, të destinuara për të frenuar dhe rregulluar emigracionin nga Afrika dhe Lindja e Mesme, do të varen nga bashkëpunimi i vendeve të tjera të Bashkimit Europian, të cilat nuk duan që emigrantët të grumbullohen në territorin e tyre. Kriza e emigracionit arriti kulmin me një fluks prej më shumë se një milion njerëz në vitin 2015 dhe ndërsa shifrat vjetore që prej asaj kohe kanë rënë, anëtarët e BE-së nuk janë marrë dot vesh se si ta ndajnë barrën ndërkohë që mbështetja për partitë euroskeptike dhe anti-emigrantëve është rritur.