Italia vazhdon të përballet me probleme
Italia nuk iu bind ultimatumit të Komisionit Evropian për të ndryshuar projektbuxhetin. Ministri i Ekonomisë, Giovanni Tria, tha se Roma po kërkon të vazhdojë një dialog konstruktiv me Brukselin mbi çështjen e borxhit.
Reduktim drastik i defiçitit buxhetor, siç kërkohet nga Komisioni Evropian, do të ishte vetëvrasje për ekonominë e Italisë. Ministri i Ekonomisë, Giovanni Tria, tha se Roma nuk do të ndryshojë aspektet thelbësore të projektbuxhetit të saj pavarësisht ultimatumit të Brukselit. “Italia kërkon të vazhdojë një dialog konstruktiv me Brukselin por sigurisht që kolonat thelbësore dhe karakteristikat e buxhetit tonë do të konfirmohen”, tha Tria. Italia planifikon të rrisë defiçitin, duke shkelur rregullat e disiplinës buxhetore të Eurozonës. Komisioni i BE-së i ka kërkuar Romës të tërhiqet dhe të ndryshojë projektbuxhetin deri më 13 nëntor. Mario Centeno, presidenti i panelit të ministrave të Financave të Eurozonës, tha pas një takimi me Trian, se vendet e tjera të Eurozonës ndajnë të njëjtat kritika të Komisionit për Italinë.