Euro sfidon dollarin?
Komisioni Evropian ka paraqitur një sërë masash për të rritur euron si monedhë rezervë globale për të sfiduar dollarin në transaksionet ndërkombëtare, duke përfshirë ato në sektorin e energjisë.
Një numër shtetesh kanë marrë rrugën e de-dollarizimit në një përpjekje për të ulur varësinë nga dollari dhe fuqia e tij në sektorin e energjisë, kryesisht në transaksionet me Iranin. Kur Uashingtoni imponon sanksione, aktorë të tjerë përballen me një zgjedhje të zymtë: ose të ndërpresin marrëdhëniet e biznesit me shtetin nën sanksione, ose të dëbohen nga sistemi financiar botëror. Sistemi me sa duket funksionoi mirë për Shtetet e Bashkuara derisa luftërat tregtare të filluara nga Presidenti Donald Trump e ndryshuan gjendjen. Në një përpjekje për të sfiduar dollarin amerikan, Bashkimi Evropian ka miratuar plane për të demonstruar muskujt e euros në sektorë të tillë strategjikë, si energjia, mallrat dhe prodhimi i avionëve, raportoi Financial Times. Sipas mediave, arsyeja për këtë është politika e Trump "Amerika e para" që ka nënvizuar nevojën për të promovuar një "rol ndërkombëtar" më të fortë për euron dhe për të rritur sovranitetin ekonomik të bllokut evropian. "Në garën aktuale të paqartësive, konflikteve tregtare, sanksioneve jashtëterritoriale nga SHBA-të, pjesëmarrësit e tregut po kërkojnë alternativa", tha komisioneri i çështjeve të ekonomisë së BE, Pierre Moscovici. Nënpresidenti i komisionit, Valdis Dombrovskis, nga ana e tij, tha të mërkurën se monedha e përbashkët - euro - duhet të pasqyrojë peshën politike, ekonomike dhe financiare të eurozonës. Aktualisht, më shumë se 80 për qind e importeve të energjisë së Bashkimit Evropian paguhen duke përdorur dollarin, prandaj Brukseli kërkon që kryeqytetet e BE të garantojnë që marrëveshjet e nënshkruara "brenda kuadrit të marrëveshjeve ndërqeveritare të energjisë" të përpilohen dhe zbatohen me euro. Çështja e monedhave të përdorura për transaksionet e energjisë është kthyer në qendër të vëmendjes për shkak të përpjekjeve evropiane për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore me Iranin pasi SHBA u tërhoq nga kjo marrëveshje në mënyrë të njëanshme. Vendet e BE kanë luftuar për të anashkaluar sanksionet e Uashingtonit ndaj Teheranit për të siguruar që kompanitë e tyre të mund të vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin pa u përballur me kufizimet sekondare nga SHBA. Duket se dollari më në fund mund të përballet me një grumbull vështirësish, duke qenë të paktën pjesërisht i privuar nga një "privilegj i tepruar". Sipas ekonomistëve, vendimi i bllokut për të blerë hidrokarburet në euro mund ti japë një goditje të rëndë dollarit, pasi BE mbetet importuesi më i madh i energjisë në botë. Kontratat e tij vjetore të energjisë zakonisht arrijnë në rreth 341 miliardë dollarë. Analistët mendojnë se plani i Komisionit Europian ka të ngjarë të shkaktojë një reagim të ashpër nga Uashingtoni: "Zvogëlimi i 'zonës së dollarit' është kërcënim ekzistencial për ekonominë dhe sistemin financiar amerikan".