Rusia propozon rolin e ndërmjetësuesit në Venezuelë
Në kohën kur Rusia ka propozuar të luajë rolin e ndërmjetësuesit mes qeverisë dhe opozitës në Venezuelë, qeveria amerikane ka përcaktuar një përfaqësues special për Venezuelën i cili ka kërkuar nga populli i Venezuelës të rrëzojë qeverinë legjitime të tij.
Aleksandër Shkatin drejtori për çështjet e Amerikës në ministrinë e jashtme të Rusisë ka thënë se Moska është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike për më shumë përgjegjshmëri nga ana e tyre. Lideri venezuelas, Nicolas Maduro mund të përfitojë amnisti nëse e lëshon pushtetin. Pohimet i bëri lideri i opozitës, Juan Guaido, njeriu që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të tjera të botës, e njohin tashmë si Presidentin e përkohshëm të vendit. Në një intervistë të dhënë për një media vendase, Guaido tha se po kontakton me të gjithë sektorët, përfshirë ushtrinë, me qëllimin që t’i jepet fund krizës. Amerika sakaq ka vendosur t’i bllokojë Maduros burimet e të ardhurave. Ky i fundit i ndërpreu marrëdhëniet me Uashingtonin e deri më tani është mbështetur nga ushtria në përpjekjet e tij për të mbajtur fort pushtetin. Përpos Amerikës, njohjen e Guaidos e konfirmuan edhe mjaft vende latine si dhe Kanadaja e Britania e Madhe, por Rusia, Kina dhe Irani e dënuan përkrahjen që po i vjen kreut të opozitës nga jashtë; Moska e cilësoi atë një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një “rrugë direkte drejt gjakderdhjes”. Meksika dhe Turqia po ashtu mbështesin Maduron.