Trump vazhdon ndërhyrjet në Venezuelë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i85277-trump_vazhdon_ndërhyrjet_në_venezuelë
Presidenti amerikan me gjithë masat e ndërmarra nga Venezuela dhe pas paralajmërimeve të fuqive të tjera botërore, vazhdon ndërhyrjen e tij në  Venezuelë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Janar 31, 2019 05:22 Europe/Tirane
  • Trump vazhdon ndërhyrjet në Venezuelë

Presidenti amerikan me gjithë masat e ndërmarra nga Venezuela dhe pas paralajmërimeve të fuqive të tjera botërore, vazhdon ndërhyrjen e tij në  Venezuelë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe presidenti i vetëshpallur i Venezuelës, Juan Guaido janë pajtuar gjatë një bisede telefonike për të mbajtur komunikim të vazhdueshëm, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Trump ka treguar edhe një herë “mbështetje të fuqishme për luftën që po bën Venezuela për të rikthyer demokracinë”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders përmes një deklarate më 30 janar. Shtetet e Bashkuara kanë njohur Guaidon, lider opozitar dhe kryesues i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, si president të këtij shteti. Shtetet tjera, duke përfshirë, Rusinë, e mbështesin presidentin e dalë nga zgjedhjet e fundit në Venezuelë, Nicolas Maduro. Diskutimet e Trumpit me Guaidon kanë ardhur pasi Gjykata Supreme e Venezuelës i ka ndaluar udhëtimin liderit opozitar, si dhe i ka bllokuar llogaritë bankare. Guaido nuk mund të largohet nga shteti derisa të kompletohet një hetim preliminar meqë ai ka shkaktuar dëm në paqen e republikës, ka thënë gjyqtari, Maikel Moreno më 29 janar. Guaido, 35 vjeçar, e ka shpallur veten president të përkohshëm javën e kaluar. Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve, RIA Novosti, Maduro ka thënë se është i gatshëm të diskutojë me opozitën “për hir të paqes dhe të ardhmes” me pjesëmarrje të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. Maduro ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke thënë se procesi i ri zgjedhor nuk mund të mbahet deri më 2025, mirëpo ka thënë se do të mbështeste zgjedhje të parakohshme. Ai ka falënderuar homologun e tij rus, Vladimir Putin duke thënë se “është duke i dhënë mbështetje në të gjitha nivelet”.