Morales: Guaido po nxit luftën në Amerikën Latine
https://parstoday.ir/sq/news/world-i85597-morales_guaido_po_nxit_luftën_në_amerikën_latine
Presidenti i Bolivisë, Evo Morales, reagoi të shtunën kundër liderit opozitar të Venezuelës, Juan Guaido, i cili është shprehur se mirëpret një ndërhyrje ushtarake të mundshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendit të tij.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 10, 2019 15:41 Europe/Tirane
  • Morales: Guaido po nxit luftën në Amerikën Latine

Presidenti i Bolivisë, Evo Morales, reagoi të shtunën kundër liderit opozitar të Venezuelës, Juan Guaido, i cili është shprehur se mirëpret një ndërhyrje ushtarake të mundshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendit të tij.

Me anë të një postimi në median sociale, Morales theksoi se refuzojnë kategorikisht deklaratat e Kryetarit të Kuvendit Kombëtar, Juan Guaido, i cili është vetëshpallur president i përkohshëm i Venezuelës. “Ne hedhim poshtë deklaratat e të vetëshpallurit Juan Guaido, që mirëpret një ndërhyrje ushtarake amerikane në Venezuelë. Jam kureshtar të di se çfarë kanë për thënë vëllezërit presidentë që e njohën atë, në lidhje me një nxitje të tillë për luftë në Amerikën Latine”, shkroi lideri bolivian në “Twitter”. I pyetur nëse do të ndizte dritën e gjelbër për ndërhyrjen e SHBA-së apo të ndonjë fuqie tjetër në vendin e tij, Guaido, i cili pati refuzuar më 23 janar legjitimitetin e Presidentit Nicolas Maduro dhe më pas qe njohur si president i përkohshëm i Venezuelës nga SHBA-ja dhe nga shumë vende të tjera perëndimore e amerikanolatine, qe përgjigjur duke thënë se do të bënte ç’të ishte e mundur. “Ne do të bëjmë ç’të jetë e mundur. Kjo, natyrisht, është një çështje që shkakton shumë polemikë; por ne do të bëjmë ç’të nevojitet duke përdorur sovranitetin e Kuvendit Kombëtar dhe kompetencat tona për të bërë të mundur që fëmijët të mos vdesin, për të shpëtuar jetët e njerëzve, për ta bërë vendin tonë të qeverisshëm dhe për mundësuar ndërhyrjen ndaj situatës humanitare”, pati thënë lideri opozitar venezuelas.