Ushtria e Venezuelës fillon manovrat
Ushtria venezueliane filloi manovra ushtarake pesëditore. Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane të Venezuelës po organizojnë manovra ushtarake nga e diela, 10 shkurt, për të demonstruar aftësinë e tyre për të mbrojtur vendin nga invazioni i huaj.
Sipas presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, stërvitjet ushtarake do të zgjasin deri më 15 shkurt dhe do të jenë stërvitjet më të rëndësishme që mbahen nga ky vend gjatë gjithë historisë së tij. Presidenti i SHBA, Donald Trump nuk ka përjashtuar një ndërhyrje ushtarake kundër Venezuelës, ku Shtetet e Bashkuara synojnë të mbajnë misionin e tyre diplomatik. Kjo nuk është shumë surprizë, sepse sulmi më i vogël ndaj sigurisë së diplomatëve amerikanë do të sigurojë pretekstin që amerikanët të nisin një luftë, madje edhe ta shtyjnë rajonin në kaos. E përballur me kërcënimet e SHBA, ushtria venezueliane është duke u përgatitur për çdo eventualitet. Ajo sapo ka aktivizuar sistemin e mbrojtjes ajrore S-300 të vendosur në bazën ajrore kapiten Manuel Rios. Kombi venezuelian është plotësisht i përgatitur për të penguar çdo sulm ndaj sovranitetit të vendit, sipas zëvendëspresidentit Delice Rodriguez. Ndërkohë, Presidenti i Bolivisë, Evo Morales, reagoi kundër liderit opozitar të Venezuelës, Juan Guaido, i cili është shprehur se mirëpret një ndërhyrje ushtarake të mundshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendit të tij. “Ne hedhim poshtë deklaratat e të vetëshpallurit Juan Guaido, që mirëpret një ndërhyrje ushtarake amerikane në Venezuelë. Jam kureshtar të di se çfarë kanë për thënë vëllezërit presidentë që e njohën atë, në lidhje me një nxitje të tillë për luftë në Amerikën Latine”, shkroi lideri bolivian në “Twitter”. Presidenti i Venezuelës të shtunën duke përbuzur ndihmat e Amerikës ndaj vendit të tij, ka theksuar se dhuratat e Uashingtonit më parë kanë shkatërruar Afganistanin, Irakun, Sirinë dhe Libinë. Nikolas Maduro në një prononcim për gazetarët, i ka quajtur helmuese ndihmat e ashtuquajtura humanitare të Amerikës për Venezuelën dhe ka kundërshtuar hyrjen e këtyre ndihmave në vendin e tij. Presidenti i Venezuelës ka akuzuar Amerikën për përpjekje për ta shkatërruar pavarësinë dhe sovranitetin e Venezuelës me pretekst të dërgimit të ndihmave humanitare dhe ka thënë: "Ndihmat e Uashingtonit janë vetëm mbulesë për të fshehur krimet e Amerikës". Maduro gjithashtu ka theksuar se Karakasi është i gatshëm për ta bërë çdo hap në rrugën e bisedimeve dhe mirëkuptimit mes partive politike të Venezuelës. Maduro shtoi: "BE është bërë e shurdhër përball krizës së Venezuelës dhe po dëgjon vetëm skenarin e ekstremit të djathtë".