Venezuelë, goditja e dytë ruse
Pasi vendosi të transferojë llogaritë bankare të naftës të Venezuelës në tokën e saj, Rusia duket se dëshiron të përmbushë angazhimet e saj ushtarake ndaj Karakasit më herët se sa ishte planifikuar.
Presidenti venezuelas Nikolas Maduro ka raportuar një rritje të investimeve në ushtri. Disa avionë ushtarakë rusë, duke përfshirë dy bombardues strategjik, arritën në Karakas në dhjetor dhe morën pjesë në manovra ushtarake. Nicolas Maduro, i cili zyrtarisht nisi të dielën manovrat ushtarake më të rëndësishme të vendit, tha se Karakasi do të bënte të gjitha investimet e nevojshme për të pajisur ushtrinë e tij me pajisjet më të fundit ushtarake. Para fillimit të manovrave, presidenti Maduro arriti në shtetin e Mirandës, në veri të vendit, për të inspektuar pajisjet ushtarake, përfshirë sistemet raketore të prodhuar nga Rusia dhe të përdorura nga forcat e armatosura venezueliane. Sipas Nicolas Maduro, manovrat ushtarake që do të zgjasin deri më 15 shkurt, do të jenë më të rëndësishme që vendi ka organizuar në historinë e tij. "Ushtarët venezuelanë janë gati të vdesin për atdheun e tyre. Venezuelianët kërkojnë më shumë forca ushtarake për të mbrojtur vendin e tyre", tha Maduro. "Ne jemi një vend paqësor. Ne nuk duam një konflikt me shtetet e tjera, por nuk duam të na kërcënojnë dhe të hyjnë në konflikt me ne", tha ai. Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve në Venezuelë. Para shpërthimit të krizës, Karakasi dhe Moska kishin nënshkruar kontrata të mëdha armësh.