Ilhan Omar kritikon politikën amerikane ndaj Venezuelës
I dërguari special i SHBA-së në Venezuelë, Elliott Abrams në Kongres paraqiti raportin rreth gjendjes në Venezuelë ndërsa kongresistja Ilhan Omar e akuzoi për ndërhyrje të drejtpërdrejt në krizat.
Ilhan Omar, myslimania e parë me mbulesë e zgjedhur në Kongresin e SHBA-së, kritikoi ashpër të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, Elliott Abrams.
I dërguari Abrams në Kongres paraqiti raportin rreth gjendjes në Venezuelë ndërsa kongresistja Ilhan Omar e akuzoi për ndërhyrje të drejtpërdrejt në krizat dhe luftërat në Amerikën e Jugut.
Omar tha se Abrams është një diplomat që njihet për bashkëpunim të ngushtë me qeveritë e djathta ekstreme në vendet e Amerikës së Jugut dhe për ndërhyrje të drejtpërdrejta në luftëra qytetare dhe kriza në këtë rajon.
Ajo rikujtoi se pikërisht Abrams ka drejtuar shitjen e armëve rebelëve në Nikaragua në vitet e '80-ta të shekullit të kaluar.
Omar gjithashtu theksoi se Abrams edhe gjatë Luftës së Ftohtë ka udhëhequr një politikë proluftës, ndërkaq e akuzoi se në raportin e tij rreth gjendjes në Venezuelë ka potencuar një numër gënjeshtrash.
"Thjesht nuk mund të besoj se si kjo Dhomë dhe populli i Amerikës mund t'i besojnë raportit nga një njeri i tillë", ka thënë Omar.
Abrams e ka vlerësuar si "sukses të madh" intervenimin e SHBA-së në El Salvador kur administrata e ish presidentit të SHBA-së Ronald Reagan mbështeste të djathtët në konfliktin, në të cilin humbën jetën 75.000 njerëz.
Omar reagoi ashpër edhe ndaj këtij konstatimi të Abrams, duke i parashtruar një pyetje nëse për sukses të madh konsideron masakrën e cila ka ndodhur nën mbikëqyrjen amerikane.
Abrams tha se kongresistja Omar po e sulmon atë personalisht dhe se pyetjet e saj janë të neveritshme.