Trump vendos kushte për ushtrinë e Venezuelës
Presidenti amerikan ka caktuar kushte për ushtrinë e Venezuelës dhe ka thënë se të gjitha opsionet për rrëzimin e qeverisë së Nikolas Maduro janë në tryezë.
Donald Trump ka kërcënuar ushtrinë e Venezuelës se duke mbrojtur qeverinë e tyre legjitime vënë në rrezik jetën dhe të ardhmen e tyre. kërcënimet e Donald Trump vijnë në kohën kur avionë ushtarakë amerikanë janë parë të ulen në qytetin kolumbian Cucuta, në kufi me Venezuelën, me objektiv shpërndarjen e ndihmave humanitare për vendin e kapluar nga kriza ekonomike e politike. Ndihmat janë duke u magazinuar në Kolumbi me kërkesë të udhëheqësit të opozitës venezuelase, Juan Guaido, i cili e shpalli veten president të përkohshëm të vendit muajin e kaluar. Presidenti Nicolas Maduro thotë se, ndihmat janë pjesë e një komploti amerikan për të justifikuar një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë. Guaido tha se rreth 600 mijë vullnetarë venezuelas do të transportojnë ndihmat përgjatë kufirit më 23 shkurt. “Do të mobilizohemi brenda dhe jashtë kufijve, – tha ai në një mesazh në Twitter gjatë së shtunës. – Beteja jonë vazhdon të japë fryte”. Megjithatë, mbetet ende e paqartë sesi këto ndihma do të lejohen të futen në Venezuelë.