Reagimi i Trump ndaj padive të ngritura kundër tij
Presidenti Donald Trump kritikoi të martën rolin udhëheqës që ka marrë shteti i Kalifornisë në një aktpadi ku janë përfshirë 16 shtete amerikane. Në padinë ligjore ndaj Presidentit kundërshtohet deklarimi prej të tij i gjendjes së emergjencës kombëtare, me synimin për të siguruar fonde për ndërtimin e murit me Meksikën.
Përmes një Twitter të shkroi sot, Presidenti Trump u ankua për aktpadinë e dorëzuar në gjykatën federale të San Fransiskos. Fillimisht ai tha se në padinë ligjore ishin përfshirë 16 qytete, por më pas e korrigjoi komentin e tij, duke ju referuar si 16 shtete. Kalifornia dhe 15 shtete të tjera amerikane janë përfshirë në padinë ligjore që e cilëson të paligjshëm deklarimin e gjendjes së emergjencës kombëtare nga Presidenti Trump, për ndërtimin e murit me Meksikën. Presidenti e mori këtë vendim, me qëllim që të sigurojë financimin e plotë të murit, përveç fondit për sigurinë kufitare që miratoi Kongresi. 16 shtete amerikane po padisin administratën e Presidentit Trump lidhur me shpalljen e emergjencës kombëtare në mënyrë që presidenti të sigurojë fondet për të ndërtuar murin në kufi. Prokurorët e përgjithshëm të 16 shteteve, të udhëhequra nga Kalifornia, depozituan padinë mbrëmjen e së hënën në Gjykatën e Qarkut të Kalifornisë Veriore. Padia aludon se deklarimi i emergjencës është i paligjshëm dhe jokushtetues, dhe se dëmton shtetet dhe banorët e tyre duke përdorur fondet e caktuara për programet kundër drogës, projektet ushtarake të konstruksionit dhe përpjekje të tjera të agjencive të rendit. Padia i kërkon gjykatës që të ndalojë përgjithmonë administratën e Presidentit Trump që të devijojë fonde nga pjesë të tjera të qeverisë për të ndërtuar murin kufitar, ose të ndërtojë një mur pa miratimin e fondeve nga Kongresi për atë qëllim.