Deklarata e Cohen kundër presidentit Donald Trump
Donald Trump ishte paraprakisht në dijeni për sulmin kibernetik dhe rrjedhjen e emaileve të përfaqësuesve të Partisë Demokratike amerikane. Këtë dëshmi dha para Kongresit, Ish-avokati i presidentit Trump, Michael Cohen, i cili nuk nguroi ta quajë presidentin "racist" dhe "mashtrues".
Ish-avokati i presidentit Trump, Michael Cohen, pohoi para një seance dëgjimore në Kongres se zoti Trump ishte paraprakisht në dijeni për sulmin kibernetik dhe rrjedhjen e emaileve të përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Cohen i tha gjithashtu Kongresit se Trump-i drejtoi planet për të ndërtuar një rrokaqiell në Moskë edhe gjatë kohës së vazhdonte fushatën për kreun e Shtëpisë së Bardhë. Në deklaratën hapëse, Cohen e quajti presidentin Trump "racist" dhe "mashtrues". Ai gjithashtu kërkoi falje për deklaratat e rreme që kishte mbajtur para Kongresit në një seancë në vitin 2017. Republikanët u përpoqën që ta shtynin seancën dëgjimore, por dështuan pasi Dhoma e Përfaqësuesve udhëhiqet nga demokratët. I menjëhershëm ishte reagimi i Presidentit që tha se ish-avokati i tij "po gënjen në mënyrë që të përfitojë reduktim të kohës së burgut". 52-vjeçari Cohen do të fillojë në maj të vuajë dënimin trevjeçar pasi u dënua për shkeljen e rregullave të financimit të fushatës zgjedhore duke paguar disa ish-partnere të Trump-it, evazion fiskal dhe deklarata të rreme para Kongresit.