Rusia mohon deklaratat e Netanjahut për Sirinë
Moska mohoi komentet e Netanjahut për zhvillimin e një plani të përbashkët me Rusinë për të zgjidhur krizën në Siri.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov tha të mërkurën (27 mars) se Moska nuk ishte në dijeni të një "plani të zgjidhjes së krizës në Siri" të përmendur nga kryeministri izraelit. Dimitri Peskov tha se kjo temë nuk u trajtua gjatë vizitës së Netanjahut në Rusi në shkurt. "Nuk mund ta konfirmoj këtë. Izraeli duhet të shpjegojë se për çfarë projekti po flet", tha Peskov. Sipas të përditshmes izraelite, Jerusalem Post, një zyrtar izraelit tha të hënën (25 mars), para samitit Trump-Netanjahu, se Netanjahu i kishte dorëzuar presidentit amerikan një plan për tërheqjen e "trupave iraniane" nga territori sirian dhe se ai është përpjekur gjithashtu të merrte mbështetje nga Vladimir Putin në këtë drejtim.