Nacionalistët evropianë kërkojnë reformimin e BE
https://parstoday.ir/sq/news/world-i87039-nacionalistët_evropianë_kërkojnë_reformimin_e_be
Partitë më të mëdha nacionaliste dhe anti-emigracion të Evropës kanë bashkuar forcat për të garuar në bllok në zgjedhjet evropiane të muajit maj.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 08, 2019 16:26 Europe/Tirane
  • Nacionalistët evropianë kërkojnë reformimin e BE

Partitë më të mëdha nacionaliste dhe anti-emigracion të Evropës kanë bashkuar forcat për të garuar në bllok në zgjedhjet evropiane të muajit maj.

Në konferencën ndërkombëtare me titull "Drejt Evropës së Ekuilibruar" që u mbajt të hënën në Milano, ministri i Brendshëm dhe zv.kryeministri italian, njëkohësisht kreu i partisë "Lidhja", ftoi tre homologët e "Alternativës për Gjermaninë", "Partinë Finlandeze" dhe atë të "Popullit Danez" që ta shpëtojnë projektin europian. Salvini theksoi: Në këtë tavolinë sot nuk ka ekstremistë nostalgjikë, pasi nostalgjikët e vetëm ndodhen aktualisht në Bruksel. BE-ja e tanishme është kthyer në makth, dhe ne synojmë ëndrrën evropiane të shumë qytetarëve dhe popujve. Objektivi ynë është të jemi grupimi i parë politik në Evropë, që ta ndryshojmë atë. Shefi i ultradjathtistëve gjermanë, Jërg Mojten, zbuloi se aleanca e re do të mbajë emrin "Aleanca Europiane për Popujt dhe Kombet", dhe do të përfshijë të paktën 10 parti politike. Mojten tha: Duam që Bashkimi Evropian dhe Parlamenti Evropian të reformohen pa i shkatërruar si institucione. Duam të sjellim ndryshime radikale. Idenë e koalicionit euroskeptik e kanë përqafuar deri tani nacionalistët francezë të prirë nga Marin Lë Pen, partia austriake për Lirinë dhe ajo e kryeministrit hungarez, Viktor Orban. Shumica e partive ndajnë bindje të njëjta ideologjike kur bëhet fjalë për zhvendosjen e pushtetit nga Brukseli te qeveritë sovrane apo për uljen e emigracionit. Por kritikët thonë se këto forca kanë qasje të ndryshme rreth politikave ekonomike dhe atyre sociale, ndaj edhe mund të jetë i vështirë krijimi i një aleance koherente në Parlamentin Europian.