Bolton paralajmëron vendet që pengojnë influencën e Amerikës në Amerikën latine
Amerika veten e saj e konsideron komanduese të vendeve në Amerikën latine dhe politika e tre viteve të fundit të saj kundrejt Venezuelës është përqendruar në rrëzimin e qeverisë së Nikolas Maduro, presidenti majtist i Venezuelës.
Për momentin Uashingtoni është përqendruar në fushën e ekonomisë për t’iu kundërvënë qeverisë majtiste të Venezuelës dhe presidentit Maduro, mirëpo ai nuk ka lënë pa harruar kërcënimet për një sulm ushtarak. Me këto përpjekje Amerika synon që në krye të pushtetit në Venezuelë të vijë Juan Guaido i cili më 23 janar veten e quajti president i përkohshëm i Venezuelës, veprim ky i mbështetur nga Uashingtoni dhe nga aleatët e tij evropianë dhe të Amerikës latine. Qëndrimet hegjemoniste të Amerikës kundrejt Venezuelës kanë shkaktuar reagimin e fuqive të tjera ndërkombëtare rivale të Uashingtonit si Kina dhe Rusia dhe të vendeve të tjera si Irani, Turqia, Meksika, Kuba, Nikaragua dhe Bolivia. Disa prej këtyre vendeve si Rusia he Kina nuk janë mjaftuar vetëm me shprehjen e mbështetjes verbale të tyre, por në mbrojtje dhe në mbështetje të qeverisë së presidentit Nikolas Maduro kanë dërguar edhe forcat e tyre ushtarake. Kjo ka shkaktuar irritimin e qeverisë së presidentit Donald Trump. Kohët e fundit John Bolton ka paralajmëruar ato vende të Amerikës latine të cilat pengojnë shtrirjen e influencës së Amerikës. Këshilltari i sigurisë kombëtare në Amerikë, në përgjigje të pyetjes rreth futjes së avionëve rusë, kinezë dhe iranianë në Venezuelë për të mbështetur presidentin Nikolas Maduro, tha: Presidenti amerikan është i angazhuar që të parandalojë rënien e Venezuelës në duart e fuqive të huaja. Megjithatë aktualisht Amerika për të realizuar objektivat e saj përballet me pengesa serioze. Kriza në Venezuelë nga një krizë e brendshme tashmë është kthyer në një kontest ndërkombëtar pasi në rang botëror janë krijuar dy fronte pro dhe kundër qeverisë së Venezuelës. Në fillimet e kësaj krize, Uashingtoni kujtonte se ashtu si në kohën e luftës së ftohtë me anë të forcës dhe veprimeve armiqësore do të mund të rrëzonte qeverinë majtiste të Venezuelës dhe presidentin Nikolas Maduro, mirëpo kundërshtimi i fuqishëm i vendeve të tjera dhe në veçanti i Rusisë dhe i Kinës dhe veprimet e ndërmarra prej tyre në mbështetje të presidentit Maduro si dërgimin e forcave ushtarake në Venezuelë, ua ka bërë të qartë autoriteteve amerikane se periudhës së njëanshmërisë dhe veprimeve imponuese të Uashingtonit tek vendet e tjera u ka ardhur fundi. Gang Shuang, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës më 4 prill duke reaguar ndaj kërkesë së Uashingtonit drejtuar Pekinit dhe Moskës që ata të tërheqin dhe largojnë forcat e tyre nga Venezuela ka thënë: Amerika latine nuk është oborri i qetë i askujt. Mesazhet e Moskës dhe të Pekinit rreth Venezuelës janë krejtësisht të qarta. Rusia dhe Kina duke dërguar forca ushtarake në Venezuelë i kanë dërguar një mesazh të fortë presidentit dhe qeverisë së Donald Trump se për momentin do të përballen me komplotet e Amerikës në Venezuelë. Këto zhvillime janë të pakënaqshme për Uashingtonin i cili kujtonte se pa asnjë pengesë do të mund të realizonte planet dhe objektivat e tij në Venezuelë.