Nis lufta më e madhe tregtare mes Kinës dhe Amerikës
https://parstoday.ir/sq/news/world-i87889-nis_lufta_më_e_madhe_tregtare_mes_kinës_dhe_amerikës
SHBA ka dyfishuar tarifat mbi produkte kineze me vlerë 200 miliardë dollarë. Tarifat në fakt janë më shumë se dyfishuar, duke u rritur nga 10 për qind në 25 për qind dhe Pekini ka premtuar se do të hakmerret. Lëvizja vjen ndërsa zyrtarë të nivelit të lartë nga të dyja palët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje tregtare në Uashington.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 10, 2019 17:19 Europe/Tirane
  • Nis lufta më e madhe tregtare mes Kinës dhe Amerikës

SHBA ka dyfishuar tarifat mbi produkte kineze me vlerë 200 miliardë dollarë. Tarifat në fakt janë më shumë se dyfishuar, duke u rritur nga 10 për qind në 25 për qind dhe Pekini ka premtuar se do të hakmerret. Lëvizja vjen ndërsa zyrtarë të nivelit të lartë nga të dyja palët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje tregtare në Uashington.

Kohët e fundit, SHBA dhe Kina u duk se po afroheshin me njëra-tjetrën pas muajsh armiqësi. Sidoqoftë, pas lëvizjes së fundit, Kina tha se do të marrë masat e nevojshme. Në të shkuarën, Pekini është përgjigjur menjëherë me tarifa reciproke. Lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kinës ka rënduar ekonominë globale dhe ka krijuar pasiguri për bizneset dhe konsumatorët. Situata mund të rëndohet akoma më shumë pasi Trump ka paralajmëruar se ai mund të vendosë taksa prej 25 për qindësh mbi mallra kineze me vlerë 325 miliardë dollarë. Bisedimet e tregtisë mes zëvendëskryeministrit kinez, Liu He dhe përfaqësuesit amerikan për tregtinë, Robert Lighthizer dhe sekretarit të thesarit, Steven Mnuchin vazhduan sidoqoftë të enjten. Trump kish thënë më herët se kishte marrë një letër të bukur nga homologu kinez, Xi Jin Ping, dhe se sipas gjasave ata do të bisedonin edhe në telefon. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se zyrtarët amerikanë kishin rënë dakord me zv/kryeministrin kinez për t’i rinisur bisedimet mëngjesin e të premtes.  Donald Trump vazhdon ta mbajë të lartë presionin mbi Kinën. “Nuk ka absolutisht asnjë nxitim për të finalizuar marrëveshjen tregtare me Pekinin”, deklaroi ai, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara dyfishuan tarifat mbi shumë produkte kineze. “Bisedimet me Kinën do të vazhdojnë, por nuk ka arsye për të nxituar, sepse tarifat po iu paguhen sot Shteteve të Bashkuara prej saj në masën 25%, për mallra dhe produkte me vlerën 250 miliardë dollarë. Këto pagesa masive shkojnë drejtpërdrejt në Thesarin e SHBA-ve”, ka shkruar ai në Twitter. Uashingtoni i rriti ndjeshëm tarifat duke vënë në jetë një paralajmërim të përpara disa ditëve, e kjo në kohën kur zëvendëskryeministri kinez, Liu He, dhe ekipi negociator amerikan pritej të rinisnin përpjekjet për të arritur një marrëveshje tregtare. Më herët, po përmes Twitterit, Trump sqaroi se Shtetet e Bashkuara kanë humbur çdo vit 500 miliardë dollarë për shkak të asaj që e quajti “marrëveshje të çmendur me Kinën”. Shpresat e administratës së tij janë që tarifat e reja ta detyrojnë Pekinin të bëjë ndryshime në praktikat e tij tregtare, si dhe në ato të subvencioneve e trajtimit të pronës intelektuale. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Geng Shuang përsëriti paralajmërimet e mëparshme se të gjitha bisedimet tregtare midis Kinës dhe SHBA do të ishin të pavlefshme nëse Uashingtoni do të vendoste sanksione tregtare. "Pozicioni ynë është ende i njëjtë,"-tha ai. "Nëse SHBA-të marrin masa të njëanshme dhe proteksioniste që dëmtojnë interesat kineze, ne do t'i përgjigjemi menjëherë duke marrë vendimet e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona legjitime". Tarifat do të synojnë industritë e teknologjisë ku Kina shpreson të bëhet një lider botëror, pasi sipas një hetimi u zbulua vjedhja e pronës intelektuale nga kompanitë kineze ndaj firmave amerikane.