Paralajmërime mbi rrezikun e shpërbërjes së BE
https://parstoday.ir/sq/news/world-i88256-paralajmërime_mbi_rrezikun_e_shpërbërjes_së_be
Britanikët dhe holandezët ishin të parët që u janë drejtuar kutive të votimit, duke hapur kështu procesin katër ditor të zgjedhjeve për parlamentin evropian, që do të përcaktojnë edhe politikat e Brukselit për pesë vitet e ardhshme.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 25, 2019 16:30 Europe/Tirane
  • Paralajmërime mbi rrezikun e shpërbërjes së BE

Britanikët dhe holandezët ishin të parët që u janë drejtuar kutive të votimit, duke hapur kështu procesin katër ditor të zgjedhjeve për parlamentin evropian, që do të përcaktojnë edhe politikat e Brukselit për pesë vitet e ardhshme.

Vende të tjera të BE vazhduan nga e premtja deri të dielën, me rezultatet që pritet të shpallen mbrëmjen e të dielës pasi të gjitha vendet anëtare të kenë mbyllur procesin e votimit. Mbi 400 milionë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin 751 eurodeputetë. Zgjedhjet zhvillohen në kohën kur po rritet mbështetja për nacionalistët dhe populistët, që duan t’i frenojnë përgjegjësitë e BE-së, ndërsa fuqitë tradicionale, si Franca dhe Gjermania, këmbëngulin se uniteti është opsioni më i mirë përballë sfidave ekonomike dhe të sigurisë. Sondazhet e opinionit parashikojnë rritje të dukshme të forcave nacionaliste. Këto janë zgjedhjet e nënta për Parlamentin Evropian që kur ato kanë nisur të mbahen në vitin 1979. Pjesëmarrja thuhet se ka rënë me vite, ndërsa rekordin e ulët e ka shënuar në 2014, me 43%. Qendra e majtë është duke festuar në Holandë, pasi sondazhet e exit-poll-eve tregojnë një rikthim në skenë, kundër populistëve. Rezultatet do të dalin të dielën, bashkë me vendet e tjera të BE-së, por laburistët holandezë po festojnë për shkak të një rezultati të ndjeshëm nga exit-poll-et. Edhe mediat kryesore në Holandë po flasin për rikthimin e qendrës së majtë, një parti që në zgjedhjet vendore zbriti në 9 mandate, nga 38. Nga an tjetër kabineti i Komisionarit evropian të Zgjerimit, Johannes Hahn po e konsideron seriozisht mundësinë e shtyrjes së publikimit të pakos së zgjerimit të BE-së. Pasiguria e institucioneve të BE-së vjen si rezultat i presionit nga disa vende anëtare, të cilat nuk janë të gatshme të diskutojnë çështjen e zgjerimit në takimin e muajit qershor. Publikimi i pakos është planifikuar të ndodhë më 29 maj dhe një diskutim në nivel të ministrave, duhet të mbahet muajin që vjen. Megjithatë, disa prej shteteve anëtare nuk janë të gatshme të diskutojnë mbi këtë temë meqenëse duhet të vendosin për rekomandimin e KE-së mbi fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo çështje, në disa prej anëtarëve të bllokut, kërkon përputhje me procedurat e brendshme, përfshirë miratimin nga parlamentet kombëtare. Duke qenë se periudha ndërmjet 29 majit dhe 18 qershorit, kur do të mbahet takimi ministror, është shumë e shkurtër, vendet anëtare nuk janë në gjendje të prononcohen lidhur me mundësinë e çeljes së negociatave të pranimit. Situata pritet të qartësohet të hënën, kur do të takohen shefat e kabinetit në Komisionin Evropian, i cili përfundimisht do të vendosë nëse do të mbajë ende dokumentin apo do të japë dritën e gjelbër për publikim të mërkurën. Pakoja e zgjerimit pritet të bëhet publike vetëm tre ditë pas zgjedhjeve evropiane, të cilat konsiderohen të kenë qenë arsye për shtyrjen e publikimit të dokumentit, detajet e të cilit zakonisht njoftohen në prill.