BE udhëhiqet nga gratë
(last modified Wed, 03 Jul 2019 19:23:55 GMT )
Korrik 03, 2019 21:23 Europe/Tirane
  • BE udhëhiqet nga gratë

Për herë të parë në historinë e Bashkimit Europian në postet kyçe ngjiten dy gra, njëra gjermane dhe tjetra franceze.

Edhe për Italinë ka dy surpriza. Parlamenti Europian zgjodhi si kryetar eurodeputetin italian David Sassoli, ndërsa Roma mund të shpërblehet me postin e zëvendëspresidentit të Komisionit. Ursula Von der Leyen, 61 vjeçe, nënë e shtatë fëmijëve, një herë ministre e Familjes dhe dy herë në krye të Mbrojtjes, është një besnike e thekur e kancelares Angela Merkel. Emri i saj doli në pah në minutën e fundit dhe të gjithë u pajtuan, duke përfshirë edhe vendet e Vishegradit, Italinë si dhe udhëheqësit rebelë të Partive Popullore Europiane, të cilët një ditë më parë bllokuan ngjitjen e socialistit holandez, Frans Timmermans. Christine Lagarde, avokate, ish-ministre e Ekonomisë, Industrisë dhe Punësimit nga partia konservatore e Nicolas Sarkozy-së dhe drejtoreshë e Fondit Monetar Ndërkombëtar që nga viti 2011, nuk ishte zgjedhja e parë për Emmanuel Macron-in. Ajo shihet si një personalitet i fortë, e aftë për të vënë me shpatulla pas murit cilindo që dëshiron një Europë të dobësuar, sidomos në anën tjetër të oqeanit. Paketa kompletohet me kryeministrin liberal belg, Charles Michel, i cili është belgu i dytë në krye të Këshillit Europian. Në krye të diplomacisë europiane vjen socialisti spanjoll Josep Borrell, katalanas, por kundërshtar i pavarësisë së Katalonjës, ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Pedro Sanchez-it.

 

Tags