Anglia luan në fushën e Amerikës duke bllokuar anijen iraniane
Forcat detare të Anglisë në ngushticën e Gjibraltarit, duke pretenduar se anija iraniane kishte si destinacion Sirinë, kanë bllokuar dhe konfiskuar atë.
Burimet angleze ditën e enjte pretenduan se anija iraniane shkel si sanksionet amerikane ashtu edhe sanksionet e BE kundër Sirisë të cilat janë vendosur në vitin 2011. Pa marrë parasysh se anija iraniane ishte në vendin e duhur dhe të ligjshëm dhe pa marrë parasysh destinacionin e saj, ky veprim i forcave detare të Anglisë është i njëjtë me rrëmbimin e anijeve nga piratët detarë. Veprimi i nxituar i forcave detare të Anglisë për bllokimin e naftëmbajtëses iraniane, veprim që u krye me kërkesën e qeverisë amerikane, krijon një risi të rrezikshme. Vazhdimi i të tilla politikave dhe i të tilla veprimeve të jashtëligjshme në ujërat ndërkombëtare barazohet me veprimet e piratëve detarë dhe tregon se vende si Anglia zyrtarisht janë futur në linjën e piraterisë. Abas Musavi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit njoftoi se ambasadori i Anglisë në Teheran është thirrur në ministrinë e jashtme për të dhënë shpjegime për bllokimin e anijes iraniane nga forcat detare të Anglisë në ngushticën Gjibraltarit. Josep Borrell përgjegjës i ministrisë së jashtme të Spanjës ka thënë: Bllokimi dhe konfiskimi i anijes iraniane që ishte duke lundruar në ujërat e ngushticës së Gjibraltarit është bllokuar pas kërkesës që Amerika i ka bërë Anglisë. Ai i cili pritet të zëvendësojë shefen e politikës së jashtme të BE ka thënë se: Madridi po analizon çështjen e bllokimit të kësaj anije dhe ndikimin e saj në sovranitetin territorial të Spanjës. Anija është bllokuar në ujërat territoriale të Spanjës. Abas Musavi ka thënë: Konfiskimi i anijes iraniane është i jashtëligjshëm, tensionues dhe një risi e rrezikshme. Vendosja e sanksioneve përtej kufijve është një veprim i jashtëligjshëm që ka ndërmarrë Amerika kundër Iranit dhe bllokimi i naftëmbajtëses në rajonin e Gjibraltarit, tregon për faktin se edhe Anglia i është bashkuar kësaj politike destruktive. Donald Trump më 8 Maj pasi ka përsëritur pretendimet e tij boshe kundër Iranit dhe kundër marrëveshjes bërthamore, shpalli daljen e Amerikës nga kjo marrëveshje dhe premtoi rikthimin e sanksioneve kundër Iranit. Veprimi i Anglisë që konfirmon sanksionet përtej kufirit të Amerikës, bëhet në kohën kur BE i ka kundërshtuar këto sanksione. Bllokimi i anijes iraniane nga Anglia dhe mbështetja e qeverisë së Londrës për këtë pirateri tregon për faktin se Evropa është e pafuqishme përballë Amerikës dhe se nuk mund të marrë vendime në formë të pavarur. Përveç kësaj krijimi i problemeve në tregtinë e naftës së Iranit bie ndesh me politikat e deklaruara nga Evropa për garantimin e interesave ekonomike të Iranit në kuadër të marrëveshjes bërthamore. Në bazë të kësaj marrëveshjeje Irani duhet të ketë mundësinë të shesë naftë pa asnjë problem dhe të ardhurat të futen në Iran. Garantimi i këtij cikli është pjesë e sistemit të krijuar për tregtinë mes Iranit dhe Evropës të njohur me emrin INSTEX. Mirëpo siç ka theksuar edhe presidenti i Republikës Islamike të Iranit, një INSTEX bosh nuk i hyn punë askujt dhe në këtë mes kthimi i parave nga shitja e naftës së Iranit duhet të garantohet nga Evropa. Në kushtet kur Evropa shpreh mbështetjen për INSTEX dhe marrëveshjen bërthamore, veprimi i jashtëligjshëm i Anglisë që bllokoi dhe konfiskoi naftëmbajtësen iraniane e cila ishte duke lëvizur ligjërisht në ujërat ndërkombëtare, përcjell një mesazh tjetër.