Turqia merr S-400, reagon NATO
Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se sot ka filluar transferimi i grupit të parë të pajisjeve të sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400 për në Turqi, duke sfiduar kështu edhe Shtetet e Bashkuara të cilat e kanë shprehur hapur kundërshtimin për këtë veprim.
“Dërgesa e grupit të parë të pajisjeve të Sistemit Ajror me Rreze të Gjatë dhe të Mbrojtjes Raketore S-400 në Bazën Ajrore Murted/Ankara ka filluar nga data 12 korrik 2019″, thuhet në njoftim. SHBA e ka kundërshtuar blerjen e këtij sistemi nga Turqia, duke argumentuar se S-400 nuk përputhet me sistemet e NATO-s. Por, shteti turk këmbëngul se sistemi rus nuk do të përbëjë kërcënim për Aleancën dhe se i njëjti nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s. Ky vend gjithashtu deklaroi se nuk është vendi i vetëm i NATO-s që përdor sisteme ruse të mbrojtjes ajrore. Ndërkohë, NATO-ja paralajmëroi sot Turqinë për pasoja të mundshme, pas blerjes dhe marrjes nga ana e autoriteteve turke të sistemit mbrojtës rus, tip S-400, pjesë të të cilit mbërritën po sot. “Është në dorën e aleatëve të vendosin se çfarë pajisje ushtarake blejnë, por jemi të shqetësuar për pasojat e mundshme të vendimit të Turqisë për të blerë sistemin S-400”, deklaroi një zyrtar i NATO-s.