Johnson: Britania largohet nga BE më 31 tetor
(last modified Fri, 16 Aug 2019 07:07:53 GMT )
Gusht 16, 2019 09:07 Europe/Tirane
  • Johnson: Britania largohet nga BE më 31 tetor

Kryeministri i Britanisë Boris Johnson është shprehur i vendosur për zbatimin e Brexit dhe daljen me çdo kusht të Britanisë nga BE më datë 31 tetor.

Kreu i qeverisë, Johnson, i etiketoi si "kolaboracionistë" deputetët që po tentojnë të bllokojnë daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja. Ai sërish apeloi për kompromis rreth pikave më të nxehta, përndryshe është i gatshëm që ta shkëpusë vendin nga unioni pa marrëveshje. Partia kryesore opozitare në Britaninë e Madhe, pritet të propozojë një mocion mosbesimi kundër kryeministrit Boris Johnson. Kreu i laburistëve, Jeremy Corbyn, tha se nëse qeveria rrëzohet, ai do të kërkojë zgjedhje të parakohshme dhe një tjetër referendum për Brexit. Corbyn: Mocioni ynë i mosbesimit ka për qëllim ndaljen e qeverisë, që të mos e nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje më 31 tetor. Ne shpresojmë që edhe partitë e tjera të opozitës të na mbështetin. Ai shtoi se në rast se mocioni votohet në shumicë, do të marrë përsipër qeverinë në rolin e kujdestarit për një kohë të kufizuar. Data e mocionit nuk parashikohet të caktohet përpara 3 shtatorit, kur edhe parlamentarët kthehen nga pushimet e tyre verore. Plani i laburistëve është refuzuar nga opozitarët liberal-demokratë, të cilët e kanë konsideruar atë absurd, ndërsa të gjelbrit janë shprehur pro mocionit kundër qeverisë por kërkojnë që referendumi për Brexit të mbahet përpara zgjedhjeve të parakohshme.

 

 

Tags