Putin: Nuk mund të fajësojmë Iranin pa asnjë provë
Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se agjencitë amerikane të Inteligjencës ende nuk i kanë prezantuar prova Arabisë Saudite se Irani ka qenë i përfshirë në sulmet në rafineritë e naftës.
Duke folur në një konferencë për energji në Moskë më 2 tetor, lideri rus ka thënë se Riadi është ende duke pritur për ndonjë hetim rreth sulmit në dy rafineri të naftës saudite më 14 shtator. "Ne i dënojmë këto sulme, por ne jemi kundër hedhjes së fajit te Irani, sepse nuk ka asnjë provë për këtë," tha Putin në një konferencë energjetike në Moskë të mërkurën, duke shtuar se Presidenti iranian Hasan Ruhani i kishte thënë personalisht atij se Teherani nuk kishte të bëjë asgjë me këto sulme. “Ne kemi biseduar me administratën saudite dhe unë personalisht kam biseduar me princin saudit dhe nga ajo që kam kuptuar, Arabia Saudite është duke pritur informacione të sakta për përfshirjen e një shteti në këto ngjarje, mirëpo ende askush nuk ka ofruar diçka të tillë. Le të udhëhiqemi nga faktet dhe jo emocionet”, ka shtuar presidenti rus.