Tensione të rrezikshme Rusi-SHBA në Siri
https://parstoday.ir/sq/news/world-i93142-tensione_të_rrezikshme_rusi_shba_në_siri
Në Sirinë verilindore, tensioni ruso-amerikan po rritet.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 12, 2019 17:50 Europe/Tirane
  • Tensione të rrezikshme Rusi-SHBA në Siri

Në Sirinë verilindore, tensioni ruso-amerikan po rritet.

Sipas sajtit ushtarak rus Avia.Pro, një helikopter rus Ka-52 interceptoi një dron amerikan. Ky incident shënohet ndërsa Rusia vetëm një muaj më parë hapi një bazë të re ushtarake në kufijtë me Turqinë vetëm për të filluar misione kundër dronëve dhe aeroplanëve të armikut. Një helikopter sulmues Ka-52 është ngritur për të interceptuar një dron luftarak amerikan, njofton Avia.Pro që thotë se incidenti "ka ndodhur disa ditë më parë në veri-perëndim të Sirisë" dhe se, objektivi i amerikanëve ishte "shkelja e zonës së kontrolluar nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore". Të mërkurën, agjencia siriane e lajmeve SANA raportoi shkatërrimin e një droni të prodhuar nga SHBA që mbante dy bomba në lokalitetin Sahl al-Ghaab në veriperëndim të provincës Hama. Paralelisht me një ombrellë të mbrojtjes ajrore irano-ruse që gradualisht po krijohet në të gjithë Lindjen e Sirisë, dhe me paralajmërimet që tani janë shumë të qarta nga Siria, një logjikë e konfrontimit ushtarak kundër okupatorit amerikan po merr formë në këtë vend. Pas dy sulmeve të premten e kaluar kundër pozicioneve amerikane në Deir ez-Zor dhe Hasake, një dron i Forcave Ajrore të SHBA u rrëzua të mërkurën nga një raketë Pantsir e Ushtrisë Siriane në rajonin al-Farika në veri-lindje të Hamas. Por kjo nuk është e gjitha: baza e tretë ruse në Siri, ajo që strehon stacionet e radarëve të ushtrisë ruse u ka shkaktuar probleme forcave të SHBA dhe trupave aleate. Sipas Al-Masdar News, më 11 dhjetor, ushtria amerikane u përpoq të hynte në periferi të bazës ajrore Kamishli përpara se të përballej me një kolonë të Ushtrisë Siriane që e ndaloi atë të hynte në zonë. Sipas Al-Masdar News, kjo ishte një kolonë e madhe ushtarake që "u ndalua në një nga pikat e kontrollit të Ushtrisë Siriane": "Pas kësaj përballje, ushtria amerikane u urdhërua të kthehej menjëherë dhe të linte zonën pasi u kërcënua se forcat siriano-ruse do të përdorin forcën." Pala amerikane nuk ka dhënë ende komente për incidentin, megjithatë, ekspertët thonë se të dy palët i janë afruar shumë një konflikti pasi helikopterët sirianë dhe rusë të vendosur kryesisht në Kamishli u vunë në gatishmëri dhe ishin gati për të shkuar në ofensivë. Kohët e fundit, bazat ruse në Tartus, Hmeimim dhe Kamishli kanë qenë objekt i disa misioneve të spiunazhit të forcave të SHBA. Për herë të dytë në tre ditë, "një aeroplan amerikan zbulues Poseidon P-8, kreu një mision për të mbledhur të dhëna të inteligjencës në brigjet e Sirisë, duke u afruar në bazat ruse Hmeimim dhe Tartus. Këtë herë, ndryshe nga e kaluara, aeroplanët luftarakë rusë u ngritën në ajër dhe e dëbuan avionin spiun amerikanë", njoftuan mediat ruse. Avia.Pro, e cila analizon këto informacione, nuk përjashton përballje të përgjakshme në të ardhmen duke iu referuar një paralajmërimi të ashpër të nisur të mërkurën nga Rusia për Pentagonin. I dërguari special i Presidentit Rus në Siri, Alexander Lavrentiev, tha të mërkurën 12 Dhjetor në një konferencë për shtyp se paqja dhe stabiliteti kanë filluar të vendosen në verilindje të Sirisë dhe se " trupat amerikane dhe të gjitha trupat e tjera nga vendet anëtare të koalicionit ndërkombëtar duhet të largohen nga Siria, me dëshirë ose me forcë".