Lavrov: Do tu përgjigjemi sanksioneve amerikane
Ministri i jashtëm i Rusisë deklaroi se Moska do tu përgjigjet sanksioneve më të fundit amerikane.
Sergei Lavrov, pasi përmendi planin për ndërtimin e dy linjave të gazsjellësit Nord Stream 2 dhe Truk Stream, deklaroi se Moska do tu përgjigje sanksioneve të vendosura nga Amerika kundër këtyre dy linjave të transportit të gazit. Rusia dhe Gjermania e kundërshtojnë vendimin e Washington për të ndëshkuar me sanksione kompanitë që po ndërtojnë tubacionin e gazit "Nord Stream 2" që lidh të dyja vendet. Ligji i firmosur nga presidenti Donald Trump hyri në fuqi të premten, dhe u lë personave të përfshirë 30 ditë kohë që të braktisin projektin, në të kundërt do përballen me revokim të vizave dhe do u bllokohen asetet financiare e pronat fizike. Për ekspertët, pala amerikane po ndërhyn më forcë në gjeopolitikën e kontinentit. Gazsjellësi "Nord Stream 2" do të transportojë gaz rus drejtpërdrejt në Gjermani nëpërmjet Detit Balltik, duke shmangur Ukrainën dhe Poloninë. Për shkak të sanksioneve amerikane, një nga kontraktorët zviceranë ka pezulluar aktivitetet e shtrimit të tubacionit, ndërsa grupi drejtues thotë se puna po vazhdon sipas planit për ta vënë projektin në funksion në mesin e vitit 2020.