Procesi i shkarkimit të Trump
Ligjvënësit demokratë kanë prezantuar argumentet e tyre hyrëse në Senat, lidhur me gjykimin e presidentit Donald Trump, duke paralajmëruar se presidenti është kërcënim për demokracinë dhe se mund të keqpërdorë fuqinë e tij nëse nuk largohet nga pozita.
Në ditën finale të prezantimit të argumenteve, demokratët kanë ritheksuar akuzat se Trump ka abuzuar me fuqinë e presidentit duke bërë presion ndaj Kievit për të hetuar ish-zëvendës presidentin amerikan Joe Biden, si dhe ka ndërhyrë në procesin e hetimeve në Kongres. “Ajo çfarë ka rëndësi është nëse ai është rrezik për shtetin, sepse atë veprim mund ta bëjë përsëri. Dhe, askush nga ne nuk mund të ketë besim se ai nuk do ta bëjë këtë përsëri sepse ai ka përsëritur se do ta bëjë”, tha përfaqësuesi i demokratëve, Adam Schiff. Ndërkohë një audio incizim i publikuar i vitit 2018, ka nxjerrë në pah një bisedë të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili kishte pyetur donatorët mysafirë në një darkë se sa gjatë mendojnë që Ukraina mund t’i bëjë ballë agresionit rus. Ndërkohë, prokurorët nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së po paraqesin argumentet e tyre hyrëse në procesin e gjykimit ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, që po zhvillohet në Senat. Trump akuzohet për një bisedë telefonike që ka zhvilluar me presidentin ukrainas, Volodomyr Zelenskiu më 25 korrik të vitit të kaluar, gjatë se cilës ai i ka kërkuar Kievit të hetojë rivalin e tij politik, ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden. Biseda telefonike ka nxitur një informator qeveritar që të nisë ankesë, çka më pas ka shtyrë Dhomën e Përfaqësuesve të akuzojë presidentin për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit. Trump e ka cilësuar këtë proces “të rremë” dhe seancat si “gjueti shtrigash”.