Trump reagon ndaj çlirimit të tij nga akuzat në Senat
Presidenti amerikan çlirimin e tij nga akuzat në gjyqin e senatit e cilësoi një fitore të madhe.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u lirua nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, të cilat përbëjnë bazë për shkarkim nga detyra. Senati i Shteteve të Bashkuara, i udhëhequr nga Partia Republikane e presidentit, votoi të mërkurën për shfajësimin e tij. Votimi u zhvillua veç e veç për të dyja akuzat. Për akuzën e parë - abuzim të pushtetit - 52 senatorë votuan për shfajësimin e presidentit, ndërsa 48 për fajësimin e tij. Ndërkaq, për akuzën e dytë - pengim të punës së Kongresit - 53 vota ishin për shfajësim, 47 për fajësim. Për shkarkimin e presidentit nga detyra do të duheshin dy të tretat e votave të Senatit prej 100 anëtarësh. Nga Partia Republikane vetëm Mitt Romney votoi për fajësimin e tij për abuzim të pushtetit. Akuzat kundër Trumpit janë ngritur në muajin dhjetor nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, e udhëhequr nga demokratët. Në janar, çështja ka kaluar në Senat, ku akuzuesit dhe ekipi mbrojtës i presidentit kanë paraqitur argumentet e tyre. Trump është presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që është përballur me mundësinë e fajësimit nga Senati dhe rrjedhimisht shkarkimin nga detyra. Sipas akuzave të ngritura, Trump i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për rivalin e tij politik, Joe Biden.