OBSH ngre rrezikun në "shumë i lartë" për koronavirusin
Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë të premte është shprehur se rreziku ndaj koronavirusit është ngritur nga “i lartë” në “shumë i lartë”.
Ky vlerësim është bërë pas rasteve të shumta që janë prekur nga ky virus në të gjithë botën dhe shpejtësinë me të cilën po përhapet koronavirusi. Momentalisht ka mbi 83 000 persona të prekur dhe mbi 2800 vdekje. “Nuk kemi akoma të dhëna që virusi po përhapet lirshëm me popullatave” – tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, atëherë koronavirusi do të cilësohet si pandemi, një përcaktim që OBSH akoma nuk e ka bërë. Shpërthimi po rritet gjithnjë e më shumë me më shumë se 50 shtete të prekura deri më tani. Vetëm në Itali, numri i rasteve ka shkuar në 653, ndërsa ai i viktimave në 17. Virusi ndërkohë vazhdon të përhapet në të gjithë globin, me raste të raportuara në çdo kontinent përveç Antarktidës. Në Azi, Koreja e jugut, shënoi të premten numrin më të lartë të të prekurve, 2337 me 571 infeksione të reja për të dytën ditë radhazi ndërsa 13 janë viktimat. Për momentin, kufijtë mbeten të hapur ndërkohë që ajo që po përhapet edhe më shpejt se virusi, është paniku dhe paranoja. Kjo, sipas zyrtarëve është epidemia e parë në erën e medias sociale, dhe kjo e fundit nuk po ndihmon aspak.