Turqia hap kufijtë, Greqia përdor metoda të egra ndaj emigrantëve
Një fëmijë ka humbur jetën në ishullin grek të Lesbos, pasi varka që transportonte emigrantët u përmbys.
Kjo besohet të jetë vdekja e parë e raportuar që kur Turqia njoftoi se po hapte kufijtë e saj për në Evropë. Sipas CNN, varka mbante 48 persona të shoqëruar nga rojet bregdetare turke, gjersa hyri në ujërat greke në fillim të së hënës. Raportohet se 46 pasagjerë shpëtuan pa lëndime, ndërsa dy fëmijë u dërguan në një spital të Lesbos, ku njëri prej tyre vdiq më vonë. Vdekja e të riut vjen pasi numri i refugjatëve që udhëtojnë në ishujt e Egjeut të Greqisë është rritur ditëve të fundit, ndërsa kjo ka ngjallur shqetësime për kushtet e jetesës në kampe tashmë të mbipopulluara, duke shkaktuar bllokada edhe nga banorët e zonave në Greqi. Javën e kaluar qeveria turke ka njoftuar se nuk do t’i ndalojë refugjatët të kalojnë në Greqi, ndërsa njoftimi bëri që emigrantët të niseshin drejt veriut në kufirin grek, duke çuar në përleshje me rojet kufitare greke. Rreth 76 mijë emigrantë vlerësohet se kanë vërshuar nga Turqia në shtetet fqinje evropiane në tri ditët e fundit. Greqia ka marrë masa pasi situata po përbën rrezik për sigurinë kombëtare. Emigrantët që duan të mbërrijnë në Evropë nga Greqia vazhduan për të tretën ditë radhazi të përplasen me rojat kufitare që i ndalojnë kalimin. Të hënën, në kufirin me Turqinë, policia greke lëshoi sërish gaz lotsjellës ndaj emigrantëve të inatosur që goditnin me gurë dhe sende të forta. Sipas Ministrisë së Brendshme turke, rreth 76 mijë të shpërngulur kanë arritur të hyjnë në BE nga dita e premte kur Ankaraja njoftoi hapjen e portave për refugjatët. Greqia e ka cilësuar situatën një rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.