SHBA drejt shpërbërjes?
Sipas faqes iraniane të lajmeve Mashregh News, drejtuesi i grupit "Yes California", Marcus Ruiz Evans, një nga drejtuesit e lëvizjes së pavarësisë kaliforniane, publikoi një mesazh video drejtuar popullit iranian.
"Ky është një mesazh nga Republika e Pavarur e Kalifornisë për popullin e Republikës Islamike të Iranit", tha ai në fillimin e videos, e cila u transmetua disa ditë më parë. "Unë po ju flas sot, jo si një Amerikan, por si një Kalifornian," tha Marcus Ruiz Evans. "Si shumë nacionalistë të tjerë të Kalifornisë, unë nuk e konsideroj veten amerikan në kuptimin tradicional të këtij termi," vazhdoi ai. Duke u ndalur në faktin se Kalifornia është një shoqëri krejtësisht e ndarë nga Shtetet e Bashkuara, drejtuesi i grupit "Yes California" theksoi se Kalifornia ka një histori më të vjetër se historia amerikane. "Prandaj, nuk ka dyshim se kur Kalifornia të bëhet një shtet i pavarur, Republika e Kalifornisë do të zhvillojë politikën e saj të jashtme, pavarësisht nga dëshirat e Uashingtonit", tha drejtuesi i lëvizjes së pavarësisë në Kaliforni. Ai rithekson gjithashtu faktin se "Kalifornianët janë një popull paqësor dhe kundërshtojnë politikat luftënxitëse dhe imperialiste të Uashingtonit". "Ne jemi për ndërtimin e urave dhe jo të mureve", deklaroi ai para se të kujtonte se demonstrata të shumta të mbajtura në një shkallë të gjerë kundër pushtimit amerikan në Irak ishin organizuar në Kaliforni. Më pas në fjalët e tij, Marcus Ruiz Evans shtoi: "Kalifornia është shtëpi për komunitetin më të madh iranian që jeton jashtë, dhe ne jemi krenarë që i kemi ata këtu." "Iranianët që jetojnë në Kaliforni janë një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe identitetit tonë," shtoi ai. "Një Kaliforni e pavarur do të jetë në gjendje të përcaktojë linjat e saj politike dhe të marrë qëndrimet e veta për disa çështje të rëndësishme për popullin iranian: Çështje si Izraeli, lufta civile në Siri, njohja e Palestinës, pasurimi i uraniumit dhe zhvillimi i energjisë bërthamore nga Irani, si dhe prania e fuqive perëndimore në rajon", tha ai. "Shtetet e Bashkuara në veçanti qeveria e saj nuk është popullore në shumë vende për shkak të politikës së saj të jashtme agresive, grabitqare dhe imperialiste," tha Marcus Ruiz Evans. "Ne Kalifornianët nuk dëshirojmë të njihemi më si përkrahësit e kësaj politike," përfundoi drejtuesi i grupit pavarsist "Yes California", Marcus Ruiz Evans. Themeluar nga Louis J. Marinelli dhe Marcus Ruiz Evans në vitin 2015, Yes California është komuniteti më i madh dhe më i njohur i aktivistëve që besojnë se Kalifornia duhet të jetë një vend i pavarur. Arsyet e dhëna janë të shumta, por në përgjithësi mund të përmblidhen si vijon: (1) Kalifornia është një shoqëri e veçantë me historinë dhe kulturën e saj unike, (2) Kalifornia si ekonomia e pestë më e madhe në botë ka atë që i duhet të ketë një vend i pavarur, dhe (3) personat më të mirë për të qeverisur Kaliforninë janë njerëzit e Kalifornisë. Shumë kalifornianë reaguan shpejtë për fitoren e Donald Trump duke treguar interes për pavarësinë e Kalifornisë. Në disa media sociale shumë kalifornianë kanë shprehur dëshirën e tyre për ta bërë shtetin e Kalifornisë një vend të pavarur.