Funerali i George Floyd
(last modified Tue, 09 Jun 2020 19:47:24 GMT )
Qershor 09, 2020 21:47 Europe/Tirane
  • Funerali i George Floyd

Familja dhe miqtë e afërt janë mbledhur në Houston ditën e sotme për funeralin e George Floyd, dy javë pas vdekjes së tij në duart e policëve të Minneapolis.

 Duke respektuar distancën sociale, pjesëmarrësit kanë hyrë në kishë me maska mbrojtëse. Çdo personi i është lejuar hyrja vetëm për disa sekonda për t’i dhënë lamtumirën e fundit Floydit, që qëndronte i shtrirë në arkivolin e artë. Kampioni i boksit Floyd Mayweather ka dalë garant  për të gjitha shpenzimet e funeralit të Floyd. Trupi i tij është ekspozuar para qytetarëve për 6 orë gjatë një mbledhje komemorative në Houston para se të fillojë ceremonia e varrimit. “Dhemb shumë”, tha Filonis Floyd, vëllai i George Floyd i cili nuk mund të ndalte lotët. “Do të kërkojmë drejtësi, dhe do ta marrim, nuk do të lejojmë që kjo derë të mbyllet”, ka shtuar ai. Vdekja e afrikano-amerikanit Floyd, në duart e një zyrtari policor të bardhë, ka nxitur protesta në gjithë botën. Mijëra persona janë parë të martën në Houston, ku Floyd ka jetuar para se të shpërngulej në Mineapolis, duke krijuar radhë të gjatë për ta parë trupin e tij para një kishe. Ceremoni të ngjashme në nderim të tij janë mbajtur në Mineapolis dhe Karolinën Veriore, ku Floyd ka lindur. Ndërkohë, kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se i ndjeri George Floyd “do ta ndryshojë botën”. Pas një takimi privat me familjen e Floydit në Houston, Teksas, për të ofruar ngushëllimet e tij, Biden ka thënë për CBS News se vdekja e tij është “një prej pikave më të mëdha të ndryshimit në historinë amerikane”.

 

Tags