Vritet djali i gjykatëses federale të Amerikës
https://parstoday.ir/sq/news/world-i98790-vritet_djali_i_gjykatëses_federale_të_amerikës
Një sulmues i armatosur ia ka vrarë djalin 20-vjeçar gjykatëses amerikane, Esther Salas, dhe ia ka plagosur bashkëshortin. Sulmi ndodhi në shtëpinë e saj në New Jersey.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Korrik 20, 2020 12:35 Europe/Tirane
  • Vritet djali i gjykatëses federale të Amerikës

Një sulmues i armatosur ia ka vrarë djalin 20-vjeçar gjykatëses amerikane, Esther Salas, dhe ia ka plagosur bashkëshortin. Sulmi ndodhi në shtëpinë e saj në New Jersey.

Hetuesit kanë thënë se vetë gjykatësja nuk është lënduar në këtë sulm. Sipas raporteve, sulmuesi i dyshuar ishte i veshur me rroba të një postieri të kompanisë “FedEx” dhe ende ndodhet në arrati.

Motivi i sulmit nuk është i qartë. Një zyrtar lokal dhe një mik i familjes Salas thanë se gjykatësja ka marrë kërcënime më parë. FBI-ja është duke e hetuar rastin dhe ka bërë thirrje për dorëzim të informacioneve nga dëshmitarët e mundshëm, shkruan “BBC”.

Sipas burimeve, djali i gjykatëses, i quajtur Daniel Anderl,  student, e kishte hapur derën e shtëpisë të dielën rreth orës 17:00 sipas kohës lokale, kur ishte qëlluar për vdekje. Bashkëshorti i gjykatëses, Mark Anderl, 63 vjeç, ishte qëlluar më pas disa herë. Ai ndodhet në gjendje kritike, por të qëndrueshme.

Hetuesit po i shqyrtojnë kërcënimet që i janë bërë më parë gjykatëses, por nuk e kanë përjashtuar mundësinë që sulmi të jetë i lidhur edhe me punën e bashkëshortit si avokat mbrojtës.

FBI-ja njoftoi përmes një deklarate se është vënë në kërkim të një personi të dyshuar dhe kërkoi që kushdo që ka informacione për këtë rast t’i dorëzojë ato tek autoritetet.