Qeveria e re e Malit të Zi e shënon Kosovën me fusnotë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i102086-qeveria_e_re_e_malit_të_zi_e_shënon_kosovën_me_fusnotë
Në një nga dokumentet e para të Qeverisë së re të Malit të Zi dhe të Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, i cili u referohet masave të reja kundër pandemisë COVID-19, Kosova është shënuar me fusnotë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 08, 2020 16:26 Europe/Tirane
  • Qeveria e re e Malit të Zi e shënon Kosovën me fusnotë

Në një nga dokumentet e para të Qeverisë së re të Malit të Zi dhe të Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, i cili u referohet masave të reja kundër pandemisë COVID-19, Kosova është shënuar me fusnotë.

Yllin pranë emrit (Kosova*) e vendosin disa vende që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Në të gjitha dokumentet e deritashme zyrtare të Qeverisë malazeze, Kosova është trajtuar në përputhje me vendimin për njohjen e pavarësisë së saj, përkatësisht pa yll në emër. Qeveria e re malazeze, e udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiq, e ka shënuar Kosovën me fusnotë në një dokument për masat kundër pandemisë, i cili ka të bëjë me “tranzitin e banorëve të Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë, Kosovës* dhe Shqipërisë përmes Malit të Zi”. Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në Mal të Zi është mjekja Jelena Boroviniq Bojoviq. Qeveria e re e Malit të Zi është zgjedhur më 4 dhjetor. Ajo përbëhet nga tre koalicione dhe dominohet nga partia Fronti Demokratik. Kjo e fundit, në të kaluarën, është zotuar se do ta tërheqë njohjen e Kosovës. Qeveria e Malit të Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës disa muaj pas shpalljes së saj, në vitin 2008.