Rakiq paralajmëron bllokim të rrugëve në rast të konfiskimit të makinave
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i133956-rakiq_paralajmëron_bllokim_të_rrugëve_në_rast_të_konfiskimit_të_makinave
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, vetëm pak ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për riregjistrimin e automjeteve në targa RKS. Pas këtij takimi, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se nëse Prishtina zyrtare fillon të konfiskojë me forcë veturat, ata do t’i bllokojnë rrugët.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 27, 2022 11:38 Europe/Tirane
  • Rakiq paralajmëron bllokim të rrugëve në rast të konfiskimit të makinave

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, vetëm pak ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për riregjistrimin e automjeteve në targa RKS. Pas këtij takimi, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se nëse Prishtina zyrtare fillon të konfiskojë me forcë veturat, ata do t’i bllokojnë rrugët.

Serbët nuk iu përgjigjën thirrjeve për riregjistrim të automjeteve dhe në rast të konfiskimit me forcë të automjeteve me targa të vjetra serbe do të bllokojmë rrugët në veri të Kosovës, njoftuan përfaqësuesit e serbëve nga Kosova pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryetari i Listës Serbe dhe ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore, ndërsa kanë marrë garanci se presidenti Vuçiq dhe shteti i Serbisë do të qëndrojnë pranë popullit serb.

“Ne i thamë qartë presidentit Vuçiq dhe kërkuam që nëse Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo kushdo tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë, dhe pronë e jona janë pikërisht ato targa dhe ato automjete, ne do t'i përdorim të gjitha mjetet demokratike dhe do të fillojmë në mënyrë paqësore rezistencën e popullit. Nëse Prishtina fillon me dhunë me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e veturave me targa KM, do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu në Kosovën qendrore, në jug”, ka thënë Rakiq.

Sipas tij, edhe pse protesta do të jetë paqësore, askush nuk mund “të parashikojë se çfarë do të ndodhë nëse zbatohet vendimi për konfiskimin e veturave”, të cilat nuk janë të ri-regjistruara në RKS. Ai e quajti presion dhe propagandë thirrjen e Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të automjeteve, duke thënë se deri më tani vetëm dy persona nga veriu janë regjistruar në qendrat e regjistrimit në veri të Kosovës.

“Edhe pse Prishtina ofron një fushatë, serbët e njohën atë propagandë dhe vazhdojnë t'i besojnë vetëm shtetit të Serbisë dhe presidentit Vuçiq”, tha kreu i Listës Serbe.

Në takimin me Vuçiqin morën pjesë përfaqësues të serbëve në institucionet e Kosovës dhe institucionet e Serbisë në Kosovë, si dhe ministrat e Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme në Qeverinë e Serbisë.

Pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, në ora 10:00 filloi seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cila mblodhi përfaqësues të institucioneve ushtarake dhe të sigurisë.

Takimi i Vuçiqit me serbët nga Kosova dhe seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare po mbahen në prag të 31 tetorit, kur skadon afati për riregjistrimin e automjeteve serbe në RKS.

RTK