Veriu i zgjedhjeve të jashtëzakonshme
(last modified Mon, 07 Nov 2022 12:34:48 GMT )
Nëntor 07, 2022 13:34 Europe/Tirane
  • Veriu i zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Historia e 2018-s po përsëritet. Një tjetër proces i parakohshëm zgjedhor pritet të zhvillohet në katër komunat në veri të vendit meqë katër komunat veriore kanë mbetur pa kryetar.

Të zgjedhurit serb, si drejtues komunash njëjtë siç kishin bërë edhe katër vjet më parë, hoqën dorë nga mandatet e tyre.

Atëbotë arsye e protestës që qoi në dorëheqje ishte taksa 100 për qind që ekzekutivi i vendosi produkteve serbe, derisa tash katër vjet më vonë shkas për dorëheqjet u bë suspendimi i drejtorit të Policisë për veriun, që erdhi si vendim i autoriteteve kosovare pas refuzimit që i njëjti të zbatonte vendimet e shtetit të Kosovës për masat e shkallëzuara të vendosura nga institucionet për ata që bartin targa ilegale.

Neni 4 i ligjit për Zgjedhjet Lokale sqaron se data e zgjedhjeve caktohet nga kryetari i shtetit pas konsultimit me partitë politike.

Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë  ditë pas shpërbërjes.

Nga presidenca e shtetit pritet që gjatë ditës të dalin me një qëndrim rreth situatës.

Ndërkohë, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi nuk i është përgjigjur interesimit të RTKlive për të ditur nëse tashmë zyrtarisht i kanë pranuar dorëheqjet e drejtuesve komunal në veri.

Ndonëse Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk e njeh dorëheqjen, kjo situatë është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese 12 vjet më parë kur kishte dhënë dorëheqje përmes një letre të dorëheqjes, kryetari i komunës së Rahovecit atë kohë, Qazim Qeska.

Në KQZ si institucion që i organizon zgjedhjet kanë thënë për RTKlive se ata do të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen.

Zëdhënësi, Valmir Elezi tha se KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve për të filluar me përgatitjet e tyre.

“Si në çdo proces tjetër zgjedhor, KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, tha ai.

Por, ky proces i paplanifikuar pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, për çka KQZ-ja duhet të kërkojë buxhet shtesë nga Qeveria.

“Këto janë zgjedhje të paplanifikuara, prandaj KQZ-ja nuk ka buxhet. Në raste të tilla, sikurse në të kaluarën, KQZ-ja përgatit kërkesën për Qeverinë e Kosovës me shumën e planifikuar”, tha Elezi  për RTKlive.

Ndërkohë siç dihet deri tash kanë dhënë dorëheqje kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të cilën rrugë e kanë ndjekur edhe këshilltarët komunal, e shumë zyrtar të tjerë institucional.

Derisa në nivel qëndror dorëheqje ka dhënë ministri Goran Rakiq dhe dhjetë deputetët e komunitetit serb.

Në fakt këta të fundit kanë bojkotuar punën e Kuvendit prej më shumë se katër muajsh.

Tags